Biberaj: Bamir Topi, së shpejti lideri i gjithë së djathtës së re
Intervista
Drejtuesi i FRD: Është herët për aleancat. Po riorganizohemi
Bledar Hoti
Aleksandër Biberaj, një nga drejtuesit kryesorë të Frymës së Re Demokratike, i është përgjigjur ashpër Kryeministrit Berisha pas sulmit të tij ndaj ish-presidentit Bamir Topi. Në një intervistë për Shqip, Biberaj thekson se Berisha, njësoj si Enver Hoxha, po lufton kundër armiqve të brendshëm në parti, duke eliminuar të gjithë shokët e vet. Ish-deputeti demokrat thekson se Bamir Topi së shpejti do të jetë lideri i së djathtës shqiptare, por nuk detajon sesi do të arrihet kjo. Ndërkaq, drejtuesi i FRD-së thekson se zgjedhjet e 2013-s janë të rrezikuara…
Z.Biberaj, si e komentoni deklaratën e Kryeministrit Berisha kundër ish-kreut të SHISH, Shaqiri, të cilin e akuzoi si një person që ka gisht në atë që pretendon si puç institucional më 21 janar të vitit 2011?
Në rastin më të mirë, sulmet e Kryeministrit janë për të justifikuar marrjen e këtij institucioni nën kontroll, uzurpimin e këtij institucioni, gjë që e ka synuar që kur erdhi në pushtet në shtatorin e vitit 2005 dhe në rastin më të keq janë sulme haluçinante apo alibi për të justifikuar vrasjet shtetërore të 21 janarit.
Kryeministri anatemoi dhe ish-presidentin Bamir Topi, duke deklaruar se ka pasur bashkëpunim me liderin e opozitës për të realizuar puçin institucional që pretendon mazhoranca. Berisha paralajmëroi dhe një hetim ndaj ish-presidentit Topi. Si i shihni këto sulme dhe a i lidhni me faktin se ish-presidenti tashmë është aktivizuar në politikë, përkatësisht në Frymën e Re Demokratike?
Të vjen keq kur e sheh Kryeministrin e vendit tënd në atë gjendje, dhe dashje pa dashje të kujtohet Enver Hoxha në agoninë e vet që fliste përçart, pasi kishte asgjësuar me sukses për 44 vjet me radhë të gjitha grupet armiqësore të brendshme e të jashtme, dhe kishte likuiduar të gjithë shokët dhe miqtë e vet. Arsyeja kryesore e këtyre sulmeve haluçinante është shfaqja në skenën politike e FRD-së, reputacioni në rritje dhe fuqizimi i përditshëm i së cilës po sjell pritshmëria e lartë te qytetarët shqiptarë për faktorizimin e FRD-së si një forcë e rëndësishme, forcë kryesore politike në zgjedhjet e vitit 2103. FRD-ja po ngjall shpresën dhe besimin e shqiptarëve se Shqipëria bëhet. Duket lehtësisht dhe fare qartë se Kryeministri dhe të tijtë e kanë humbur qetësinë që kur u shfaq FRD-ja në horizontin politik, por ky nuk është problemi ynë, ky është problem i atyre. Kryeministri ka frikë nga FRD-ja, pasi ai e di fare mirë forcën dhe reputacionin e FRD-së si një forcë reale dhe e vërtetë e qendrës së djathtë, që do të marrë mazhorancë votash djathtas, këtë ia tregojnë edhe sondazhet që ai i ka në tavolinën e tij. Si një ish-komunist që mbeti gjithë jetën komunist në mentalitet, psikologji dhe mënyrë veprimi, ai ka 22 vjet që manipulon të djathtën më antikomunizmin e tij farsë dhe hipokrit, e ka përçarë të djathtën, dhe në mënyrë sistematike ka goditur të gjithë përfaqësuesit më dinjitozë dhe më me reputacion të së djathtës për ta mbajtur vetë monopolin e saj, ndërkohë që ka 22 vjet që bashkëpunon me të majtët direkt apo indirekt, hapur apo fshehurazi, formalisht apo informalisht. Ai ka 22 vjet që e lufton të djathtën në mënyrë konstante, ndërkohë që u ka krijuar terren të lirë të majtëve apo ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, që janë si në PD ashtu edhe në partitë e tjera të djathta. Tani po e kupton që e djathta po riorganizohet, gjë që përbën edhe fundin e dominimit të tij të pamerituar dhe manipulues tek e djathta. FRD-ja po shihet çdo ditë si shpresë dhe besim për reformimin e së djathtës, për krijimin e një të djathte të vërtetë, të reformuar, patriotike, qytetare dhe moderne sipas modelit që aplikohet sot në SHBA, apo sipas modelit të Partive Popullore Europiane. Një ndër misionet e FRD-së është reformimi i së djathtës, dhënia fund e dominimit 70-vjeçar të së majtës sipas modelit sllavo-komunist, dhe Sali Berisha e di fare mirë që Bamir Topi do të jetë shumë shpejt lideri i së djathtës reale, pa ish-komunistë, pa ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe pa pinjollët e diktaturës, pasi këto janë zhvillime dialektike që nuk ka forcë ti ndalojë, aq më tepër që koha e Berishës po perëndon çdo ditë. Dhe për ta mbyllur këtë pjesë, vetë Berisha dhe gjithë klani i tij i majtë në PD, një klan hajdut, injorant dhe rural, Bamir Topin e kanë pasur frikë dhe fobi prej shumë vitesh, gjë që tani po e shfaqin hapur, aq më mirë për ne, aq më keq për ta, pasi shqiptarët janë të zgjuar dhe i kuptojnë fare mirë zhvillimet politike, tendencat dhe perspektivat. Sulmet e Berishës vetëm sa na fuqizojnë dhe kompaktësojnë më shumë, dhe po ta lexonte këtë intervistë do ta këshilloja që të merret gjithë ditën me FRD-në se vetëm nder na bën, aq më tepër që ka edhe kohë, pasi nuk bën ndonjë punë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Me zgjedhjen e Presidentit të ri, mazhoranca po realizon ndryshimin e institucioneve kryesore në vend, pas KLD-së dhe SHISH-it, radha duket se do ti vijë largimit të Prokurores së Përgjithshme. Si e shihni përqendrimin e pushteteve në një parti të vetme, kur vendi ndodhet para zgjedhjeve të reja parlamentare?
Në Shqipëri nuk ka më demokraci, ka vetëm një parti-shtet, që kontrollon gjithçka dhe ka uzurpuar të gjitha pushtetet. Natyrisht situata është alarmante dhe kambanat e alarmit po bien si për shqiptarët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Kuptohet se rreziku do të shfaqet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi regjime të tilla, siç përmendet edhe në raportet e ndërkombëtarëve, nuk lejojnë rrotacionin e pushteteve me votën popullore, pasi nuk organizojnë votime të lira. Por historia ka treguar, nga ana tjetër, se pikërisht regjime të tilla antipopullore dhe antikombëtare rrëzohen nga mbipushteti dhe zullumi që rritet çdo ditë. Në më pak se dy vjet ranë regjimet e miqve të Kryeministrit, që dukeshin si të paprekshme, ranë Gadafi, Mubaraku, Ben Ali dhe tani ka mbetur vetem Asad, që edhe ai do të bjerë shumë shpejt. Pikërisht viti 2013 do të shënojë edhe fundin e regjimit të Berishës dhe fillimin e një epoke të re për shqiptarët.
Si do të organizohet FRD-ja në hartën politike të sezonit të ri, ndërkohë që përflitet për aleanca të reja si një bllok opozitar? A do të jetë e gatshme forca juaj politike të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje apo si koalicion, apo FRD-ja mendon se do të fokusohet në përqendrimin e polit të tretë në Shqipëri?
Natyrisht që është shpejt për të folur për koalicione apo aleanca, aq më tepër që do të jenë forumet që do të vendosin, por siç e kemi deklaruar, aleanca apo koalicioni ynë më i madh do të jetë me qytetarët shqiptarë, strategjia jonë është të krijojmë polin politik të qytetarëve shqiptarë, polin politik të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve shqiptarë. Ne po punojmë shumë dhe jam i bindur në suksesin tonë si një faktor i rëndësishëm dhe kryesor politik pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Si do të dilni në zgjedhje, duke pasur në konsideratë se kodi i ri diskriminon partitë e reja dhe ato të ashtuquajtura të vogla, pasi sistemi proporcional rajonal i penalizon ndjeshëm ato. A do të ketë një bashkëpunim me Aleancën Kuqezi, një parti e re e krijuar rishtas?
Siç përmenda edhe më lart, është shumë shpejt për të folur për aleanca apo koalicione, pasi kemi kohë, ndërkohë që jemi përqendruar në organizimin e FRD-së dhe shtrirjen e saj