Referendumi ndan Metën nga Berisha, e bashkon me Ramën
Imunitetet
Qëndrimi i Metës është në një rezonancë me Ramën. Dy politikanët kanë zhvilluar një takim joformal gjatë zhvillimit të ceremonisë së homazheve në nderim të Arbën Xhaferit në Tetovë
Meta: Referendumi, jo zgjidhja më e mirë. Duhet konsensus
Mazhoranca nuk është shfaqur e bashkuar tërësisht për rrugët që do të çojnë në heqjen e imunitetit për parlamentarët dhe kufizimin për gjyqtarët. Ndërsa Partia Demokratike, në qëndrimin e djeshëm të zëdhënëses së Kryeministrit ka hedhur poshtë kushtet e Ramës, duke kërkuar votimin e njëanshëm të imunitetit dhe dërgimin në referendum popullor, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se nuk është kundër referendumit, por rruga më e mirë do të ishte konsensusi parlamentar. E në këtë pikë qëndrimi i Metës është në një rezonancë me Ramën. Dy politikanët kanë zhvilluar një takim jo formal gjatë zhvillimit të ceremonisë së homazheve në nderim të Arbën Xhaferit në Tetovë.
Meta
Kryetari i LSI-së, Ilr Meta, ka dhënë sërish mesazhin e tij nga kampingu i të rinjve të partisë së tij në Jalë, ku kësaj radhe pushonin 600 anëtarë të LRI-së nga Qarku i Fierit. Sipas Metës, referendumi mund të jetë zgjidhje, por më mirë është heqja e imunitetit me konsensus në Parlament. Por sipas kreut të LSI-së, e rëndësishme është që të mos humbet kohë. Ne kemi qenë prej vitesh për heqjen e imunitetit për politikanët, dhe për të gjithë zyrtarët e lartë që ata të barazohen më të gjithë qytetarët e tjerë. Ndaj ne e gjejmë rastin shtoi ai, përsëri të theksojmë se kjo është e domosdoshme, kjo është një kërkesë jo vetëm e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe qytetarëve shqiptarë, për të cilën ata mund të shprehen edhe me referendum, por është rruga më e mirë, më e shpejtë, më efikase që të realizohet përmes një konsensusi parlamentar gjatë 2-3 javëve të ardhshme, deklaroi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta, në fjalën e tij nuk ka folur për aleanca specifike në votimet e ardhshme, por thjesht për riorganizim të fuqive të LSI-së. Në zgjedhjet e vitit 2013, ne të gjithë së bashku me mbështetjen tuaj, të paçmuar, do të nënshkruajmë një faqe të re, e cila do të jetë në interes të integrimit europian të Shqipërisë, të reformave, të ndryshimeve që krijojnë një perspektivë të re më të sigurt, më të qëndrueshme për të gjithë shqiptarët, në mënyrë të veçantë për të rinjtë, tha Meta.
Berisha
Kryeministri nuk i është përgjigjur rivalit të tij, Edi Rama in personam por ka deleguar zëdhënësen e tij, Erla Mëhilli, për të bërë publik qëndrimin e tij se nuk i pranon kushtet e PS-së për të miratuar imunitetet së bashku me paketën kushtetuese për drejtësinë. Kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe që sdo realizohet kurrë ndonjëherë.
Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bën të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS-së, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor, deklaroi zëdhënësja e Kryeministrit.
Apeli i Berishës është pa ekuivok: Në rast se zoti Rama është penduar për bllokimin që i bëri më 6 gusht votimit të heqjes së imunitetit dhe statusit të vendit kandidat, le të mos i pengojë deputetët e tij për të firmosur kërkesën për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes së imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit është qesharak dhe fund e krye një mashtrim.
Ai përdor këtë argument, sepse për të është fatale pyetja e qytetarëve të thjeshtë socialistë, por edhe e atyre pa parti. Ndërkaq, Kryeministri u rikthehet akuzave të vjetra: Çfarë e detyron këtë opozitë të mbrojë imunitetin e qeveritarëve dhe zyrtarëve në pushtet? E vërteta është se ai mbron me imunitet pasuritë e paligjshme të klubit miliarder të Partisë Socialiste.
Hapat
Konferenca - Për tu futur në rendin e ditës si qëndrim i grupit parlamentar i PD-së, nisma për referendum duhet të kalojë në Konferencën e Kryetarëve
Firmat - Më pas PD do të duhet të marrë firmat e 1/5-at e deputetëve të Kuvendit, të cilat i ka, por dhe 50 mijë anëtarëve që i siguron
KQZ - Mbajtjen e referendumit duhet ta miratojë KQZ-ja e re, e cila do të zgjidhet në 2 etapa; më 16 shtator anëtarët dhe më 26 shtator, kryetari
Presidenti - Data e mbajtjes së referendumit sipas Kushtetutës është kompetencë e Presidentit, i cili e dekreton pas vendimit të KQZ
21 janari - Hetimi i 21 janarit në të tëra aspektet e tij është detyrë e dorës së parë e institucioneve të shtetit ligjor duan apo sduan Rama apo topi që i ka mbetur në portën e tij
Referendumi ndan Metën nga Berisha, e bashkon me Ramën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip