Biberaj: Nuk kemi komplekse për aleanca
Fryma e Re Demokratike nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një aleance parazgjedhore me Partinë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Në një prononcim për Shqip, anëtari i grupit themeltar të FRD-së, Aleksandër Biberaj, deklaroi se në këtë moment ishte shpejt të flitej për aleanca zgjedhore, duke e quajtur këtë një çështje që do ta zgjidhnin në muajt e ardhshëm nga vetë forumet e FRD-së.
Por, pavarësisht kësaj, Biberaj thekson se parimisht FRD-ja nuk kishte asnjë kompleks për të bashkëpunuar zyrtarisht me PS-në. Pavarësisht se në programin e saj, kjo parti është e qendrës së djathtë dhe ka në përbërje përfaqësues që kanë qenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike, Biberaj thekson se për partinë ku ai aderonte, çdo aleancë është e mbështetur mbi vlera dhe në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Mendoj se është shpejt për të folur për aleanca, ato do ti vendosin forumet në muajt në vazhdim. Por parimisht ne nuk kemi komplekse apo paragjykime për bashkëpunim, mjafton që bashkëpunimet tona politike të bëhen mbi baza parimore dhe mbi vlera në shërbim të shqiptarëve dhe Shqipërisë, deklaron përfaqësuesi i FRD-së në lidhje me një bashkëpunim të mundshëm të kësaj partie me socialistët.
Nisur nga aleancat e zhvilluara gjatë viteve të fundit në vend, Biberaj nuk harron të kritikojë Partinë Demokratike, për të cilën thekson se në emër të pazareve dhe mbajtjes së pushtetit ka bërë aleanca nga më të pazakontat. Në këtë kuadër, Biberaj theksoi faktin se LSI-ja është një parti e ekstremit të majtë dhe madje në zgjedhjet e shkuara lokale, PD-ja tregoi se mund të bashkëpunonte me Partinë Komuniste për të zgjeruar pushtetin e saj.
E ashtuquajtura parti e djathtë, PD-ja nuk ka ngurruar të bëjë koalicion me ekstremin e majtë, siç është LSI-ja e Ilir Metës, madje koalicion ky i bërë vetëm për pazare. Interesant është fakti se për të zgjedhur pushtetin, PD-ja në zgjedhjet lokale të 2011-s ka bërë koalicion edhe me Partinë Komuniste të të ndjerit Hysni Milloshi, kujtoi Biberaj në lidhje me PD-në, parti të cilës FRD-ja po i bën opozitë që nga krijimi i saj.
Po kështu për Shqip, Aleksandër Biberaj thekson se koalicioni aktual i ndërtuar mes PD-së dhe LSI-së ka humbur çdo motiv dhe të drejtë morale për të drejtuar vendin. Sipas tij, ky koalicion nuk ka arritur dot të përmbushë objektivin, për të cilin theksoi se është formuar dhe që është integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Ky koalicion e ka humbur legjitimitetin, sepse na u paraqit si koalicion i integrimit. Në këtë objektiv shumë të rëndësishëm treguesit janë tepër negativë, duke sjellë si rezultat rrezikimin e vendit për herë të tretë në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, sqaroi Biberaj.
Pak ditë më parë, deputeti socialist, Pandeli Majko, deklaroi se ishte e udhës që të gjitha forcat opozitare në vend të bashkoheshin përpara zgjedhjeve për të bërë të mundur rrëzimin e qeverisë Berisha. Qoftë partia FRD, qoftë AK, për mua janë aleatë të natyrshëm të opozicionit në Shqipëri, të një shtrese shoqërore që kërkon ndryshimin e PS-së. Ne duhet të ulemi me ta për ti fiksuar në një ditë, në një kuti, për një qëllim të përbashkët, ka deklaruar Majko.