INTERVISTA/ Baze: Opozita i ruajti dinjitetin Fatos Nanos
Ju jeni një nga ndjekësit e vëmendshëm dhe të përditshëm të politikës. Mund ta fillojmë me pyetjen standard: çfarë po ndodh?
Kjo pyetje ka kuptim në një vend normal, ku ngjarjet prodhojnë bilanc dhe politika ndëshkohet apo shpërblehet për atë që bën. Politika shqiptare është një profesion liderësh, të cilët nuk ndëshkohen për asnjë arsye dhe për asnjë bilanc. Brenda dy vitesh ne kemi parë një kryeministër që ka vrarë dhe askujt si ka shkuar mendja ta çojë në gjyq, një Ministër të Brendshëm që ka vrarë dhe pas 4 muajsh ka hyrë dhe në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, kemi parë një zv.kryeministër me zë dhe figurë që flet për paratë tona si pronë të vetën dhe është aktor kryesor në politikë dhe një opozitë, e cila është parti e parë në vend dhe rri në opozitë. Në një situatë të tillë anormale, pyetja çfarë po ndodh? vlen vetëm si pyetje retorike, kur të zë frika nga këto që ndodhin.
Ndoshta, por ideja se Berisha e merr gjithnjë atë që do, po ngulitet
Jo, më shumë se kaq. E rrezikshmja është se po ngulitet ideja se Berisha është i pandëshkueshëm , jo i pandalshëm.
Një debat i madh është raporti PS – LSI . Ndodhi një afrim dhe tani gjithçka duket si më parë. Kush fitoi dhe kush humbi sipas Mero Bazes nga e gjithë kjo?
Kultura e partive armike në Shqipëri për fat të mirë ka rënë, por kjo nuk duhet të na çojë tek kultura e vrasjes së moralit. Afrimi i LSI-së me PS-në, kishte kuptim vetëm si një afrim që mund të krijonte një shumicë të re. Në këtë pikë, Edi Rama nuk mund të qortohet pse donte të formonte një shumicë të re në vend dhe të shkonte në zgjedhje pa Berishën. Ky ishte bazamenti i takimit të tij me Ilir Metën dhe ajo që ai shpresonte. Meta ia ofroi këtë mundësi për të rritur pazarin tek Berisha dhe për tu përdorur për një luftë të brendëshme banale në PD, në krah të Lulëzim Bashës…
Opozita… Ka humbur?
Në këtë aspekt unë nuk mendoj se opozita ka humbur nga ky raport. Ajo, thjesht, nuk ia ka dalë të formojë një shumicë të re kundër Berishës, por kjo nuk është në dorë të saj. Në planin afatgjatë ka humbur LSI-a dhe Ilir Meta. Ata kanë zvogëluar profilin e tyre nga aleatë të Berishës dhe të PD-së, në aleatë të Lulëzim Bashës dhe Fari Balliut. Gjithë çfarë Meta bëri ishte një shërbim ndaj tyre. Kjo e ka dëmtuar rëndë raportin e tij me PD-në tradicionale, e cila dhe deri më sot nuk është se e ka gëlltitur afrimin me të. Tashmë Ilir Meta është në aleancë me kollovarët e PD-së dhe jo me PD-në reale.
Në informacionin apo në analizën tuaj, si u prit në PS afrimi me Metën?
Socialistët e gëlltitën, falë Ramës, por për të kuptuar se sa e rrezikshme ishte ajo gjë, mjafton të shikoni sa mirë e pritën kundërshtarët e Ramës. Kritikët e tij më të mëdhenj, Blushi, Malaj etj, e mbështetën, a thua se Rama po arrinte objektivat e tij të jetës, po zbardhte 21 Janarin apo manipulimin e votave. Ata po gëzoheshin që po e shtynin, që e ardhmja e opozitës të kushtëzohej nga njeriu që shkaktoi edhe 21 janarin edhe 8 Majin. Kjo është pjesa malinje e të bërit politikë në këtë opozitë.
Megjithatë opozita doli pa presidentin e saj dhe pa aleancë me LSI-në nga kjo histori…
Opozita e ka humbur presidentin më 29 qershor 2009 kur doli në opozitë. E gjitha çmund të bënte tani ishte të provonte se Berisha nuk kishte vullnet për konsensusin që e kërkonte edhe perëndimi, dhe Ilir Meta nuk kishte vullnet të dilte në opozitë. I provoi të dyja dhe e bindi Perëndimin se Berisha ishte i pasinqertë me ta dhe shqiptarët, që Ilir Meta është një ushtar i Lulëzim Bashës, njeriut që ka vrarë për të më 21 janar. Nuk besoj që ka humbur asgjë.
Ka fituar?
Nuk them dot që ka fituar ndonjë gjë, por them se ka dalë më e qartë dhe më e stërvitur nga kjo betejë. Edi Rama ka vepruar drejt dhe në mënyrë shumë parimore gjatë procesit. Ai nuk ka rënë në lojën e garës fallco por i ka qëndruar deri në fund idesë së konsensusit. Përpjekja për ta nxjerrë nga kjo rrugë duke përdorur Fatos Nanon dështoi, dhe kjo është po ashtu, një meritë e Ramës.
Megjithatë Nano vërdallë është…
Është në lojën që ka qenë, si ushtar anti opozitë. Është votuar dhe testuar një herë për këtë lojë kur e ka nisur më 2007-ën, nuk ka pse testohet më.
Shumë socialistë, megjithatë, këmbëngulën që Rama duhet të propozonte Nanon
E ka propozuar si kandidat konsesual. Ia ka ofruar Berishës si të tillë, por Berisha nuk e donte Nanon president, por e donte si marionetë për të zgjedhur presidentin e tij. Rama nuk ra në atë lojë dhe mendoj se ruajti mes të tjerash jo vetëm dinjitetin e opozitës, por edhe dinjitetin e Fatos Nanos. Berisha ka qenë i qartë qysh në fillim se do të kishte president Jozefina Topallin, duke futur Nanon në garë në emër të PS-së ose Bujar Nishanin nëse Nano nuk futej. Dhe ashtu veproi. Opozita i ruajti dinjitetin Fatos Nanos, kurse ky i fundit vazhdon ti ruajë fytyrën Sali Berishës.
Dmth ju besoni se Berisha i qëndroi një plani apo projekti të paracaktuar për Presidentin?
Po. Në fillim hodhi emrin e Zaganjorit si president konsesual. Zaganjori është një këshilltar informal i Berishës për drejtësinë, një njeri i afërt i tij, por me një profil të besueshëm. Është njeri korrekt dhe pjesë e sistemit tonë të drejtësisë me gjithë problemet e veta. Dyshimin e parë e pata kur, vetë zoti Zaganjori ma konfirmoi se ai do të ishte në garë vetëm tre raunde dhe e mbajti fjalën. Paralelisht me Zaganjorin që ishte ende në garë Berisha thirri Artan Hoxhën dhe e bëri gati për raundin e dytë duke i dhënë garanci se do ti qëndronte deri në fund. I sigurt se do ti përdorte në fund një histori të pistë të krijuar prej vetë atij, në vitin 1993, kur e hoqi nga Ministër, ai tentoi ta bënte deri në fund lojën me Hoxhën, biles duke mbledhur edhe firmat. Vetëm kur e pa se Hoxha e mori seriozisht dhe u nis me makinat e Gardës drejt Kuvendit, e ktheu nga rruga dhe e zbriti në mes të rrugës. Pra, ai ishte i qartë: ose Topallin, nëse hynte në lojë Nano përmes Ramës, ose Nishanin. Dhe nuk ka asgjë për tu çuditur që ai ka planin e vet. Rëndësi ka që ne të mos emocionohemi më shumë se ç’duhet nga një proces që mbyllet me 71 vota.
Po flisnim për LSI-në… Në mos gaboj ju thatë që në plan afatgjatë Meta humbi nga kjo që ndodhi, etj. Por LSI ka realisht vota, ka kapital politik të vetin. Në fund janë shifrat që vendosin, apo jo? Mbetet një pikëpyetje se si mund të merren votat e saj më 2013?
Jo aspak. LSI-a është një parti që nuk gënjen dot askënd. Ajo është një fenomen tribal, jo fenomen politik. Ajo merr vota të pushtetit dhe ato vota nuk janë as të majta, as të djathta. Janë vota që rendin të shkëmbehen me pare. Ekziston ky elektorat në Shqipëri dhe ka kaluar nga një parti në tjetrën. Të tillë kanë qenë
