Biberaj në krye të PD-së? Mustafaj: E mbështes, anëtarësia e mirëqenë
Tiranë- Përmes rrjetit social facebook ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj ka shprehur mbështetjen e tij në lidhje me vetëkandidimin e Aleksandër Biberaj për kreun e PD-së, duke thënë se anëtarësia e Biberajt në selinë blu është e mirëqenë.
Dje shpreha posaçërisht për demokratët kënaqësinë time për përfshirjen e mundshme të Aleksandër Biberajt në garën për kryetar të PD. Shoh se ka më shumë se 135 komente. I lexova të gjitha me vëmendje. Dua të ndalem me këtë rast vetëm tek një shqetësim i ngritur nga disa prej miqve të mi e që unë besoj se është i sinqerte: është apo jo Biberaj anëtar i PD? Në gjysmën e dytë të 2003, pasi kishim analizuar shkaqet e humbjes tonë në zgjedhjet e vitit 2001, ne arritëm në përfundimin se Partia duhej hapur ndaj vlerave. Dhe kjo hapje duhet të shënohej më së pari ndaj figurave të saj historike, të cilat tashmë gjendeshin në parti të tjera. Nisem kështu zbatimin e idesë së fillimit të ri. U kthyen njeri pas tjetrit brenda pak muajve Genc Ruli, Gramos Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj e plot të tjerë. Për asnjërin prej tyre nuk u kërkua formalizimi i ripranimit. U quajt e mirëqenë anëtarësia e tyre e hershme në PD. Ky fakt u zyrtarizua me ndryshimet në statutin e partisë, ku u hoq përjashtimi nga PD. Kjo përvojë është e mjaftueshme edhe për Biberajn në këtë rast apo këdo tjetër, që do të afrohet,- shkruan Mustafaj në Facebook.