E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka e Françeskanëve, mes thesareve e historisë

TIRANE- Librat mund të jenë të copëtuar e të djegur; autorët e tyre mund të jenë të persekutuar deri në vdekje, por idetë e tyre qarkullojnë përmes librash e autorësh të tjerë, e kështu transmetohen nga brezi në brez. Regjimi shqiptar, i cili ka ushtruar ndaj shqiptarëve represioni sistematik të lirive personale dhe lirisë së mendimit, ka shkatërruar në më pak se 50 vjet një trashëgimi kulturore, që përmes shekujve erdhi e padëmtuar edhe gjatë pushtimit të të huajve. Së bashku me kishat, manastiret dhe xhamitë me vlerë të jashtëzakonshme artistike, u mbuluan nga pluhuri edhe shumë biblioteka që ruanin trashëgimi të madhe.
BIBLIOTEKA
Në fund të 1800-ës, Biblioteka Françeskane e Shkodrës ishte një nga më të pasurat në Ballkan. Ajo kishte marrë formë dhe cilësi nën drejtimin e At Gjergj Fishtës, i cili në sallat e qeta të saj mblidhej së bashku me intelektualë të tjerë të njohur, si Faik Konica, Luigj Gurakuqi dhe etërit Shtjefën Gjeçovi e Anton Harapi, për të diskutuar të ardhmen e kombit shqiptar. Në vitin 1946, biblioteka u shkatërrua e librat, ose u shkatërruan, ose u shpërndanë a u zhdukën në mënyra të ndryshme. Për fat të mirë, disa u gjetën nga Biblioteka “Marin Barleti”, ndërsa të tjerët përfunduan në shtëpi private, e pronarët e tyre është e vështirë të dihen. At Fishta kishte vdekur prej pak vitesh, kur regjimi bëri që eshtrat e tij të zhvarroseshin e të hidheshin në lumin Drin, e ajo që mundi të shpëtohej prej tyre sot gjendet në varrin që është tani në hyrje të Kishës Françeskane në Gjuhadol. Por idetë e kanë fuqinë të rilindin edhe nga hiri, për aq kohë sa ka burra të aftë që t‘i bëjnë ato të kenë jetë. Në vitin 2003, Biblioteka Françeskane është rihapur, aty ku ishte dhe ashtu siç ishte në kohën e Fishtës. Fondi i librarisë u rikrijua falë donacioneve të etërve
Luigj (Jak) Marlekaj - profesor në Universitetin e Milanos, Bolonjës dhe Barit; Paulin Margjokaj, edhe ky profesor universiteti në Itali,dhe Daniel Gjeçai.
SOT
Sot, në këtë oaz paqeje që të kujton një shkrimtore mesjetare, mbahen e ruhen më shumë se 10.000 volume, duke përfshirë një përzgjedhje të gjerë të Albanistikës e Ballkanologjisë. Teksti më i vjetër është “Historia e Gjergj Kastriotit, princi i denjë i shqiptarëve”, botuar në Venecia në vitin 1580. Ai është një përkthim italian i origjinalit latinisht të Marin Barletit.
THESARET
Por thesari që ende duhet eksploruar gjendet në fondin e arkivave, ku janë vënë në mënyrë të kujdesshme tekste të shekujve XVI-XVII, dokumente historike dhe letra të shkruara nga Ernest Koliqi, Martin Camaj, Jeronim de Rada, etj. Tradita e lashtë kulturore e Shkodrës është dëshmuar nga shumë biblioteka që ekzistonin që nga shekujt e shkuar në territorin e saj. Në këtë qytet, në vitin 1917 u hap Biblioteka e parë publike në Shqipëri. Në ditët tona, biblioteka publike “Marin Barleti” po hedh on line trashëgiminë e saj, në sajë të drejtorit Gjovalin Çuni, i cili, nga pasioni i bibliofilit e deri tek mosha dixhitale, ka bërë që të kenë akses studiuesit dhe dashamirësit e të gjithë botës në tekste të ndryshme si, revista e rëndësishme “Hylli i Dritës”. Kjo revistë për herë të parë u botua më 1 tetor 1913, vetëm një vit pas shpalljes së Pavarësisë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›