Lajm i hidhur nga Spanja
Përkthyesi i vetëm i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle, Ramon Sanchez Lizarralde është konsideruar si ura lidhëse jo vetëm ndërmjet popullit shqiptar dhe atij spanjoll, por edhe ndërmjet popullit shqiptar dhe atij spanjisht-folës të Amerikës Latine. Humbja e tij, në moshën 60 vjeçare, do të lë një hendek të madh në afirmimin e shkrimtarëve shqiptarë në këto vende. Më të marrë lajmin për vdekjen e tij, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka theksuar se ky është një lajm i hidhur për kulturën shqiptare dhe për të si autor.
“Kam humbur një mik të shtrenjtë, një përkthyes të madh, ndër më të mirët të letërsisë shqipe dhe në të gjithë botën”, është shprehur Kadare në një të përditshme shqiptare.
Sipas tij, të gjithë shkrimtarët e përkthyer nga Ramon Sanchez kanë ndjerë të njëjtën humbje dhe ndajnë hidhërimin me familjen e tij, veçanërisht me Marian, shoqen e jetës së tij.
“Ramon Sanchez do të mbetet i paharruar në kujtimin tonë dhe në letrat shqipe”, ka thënë Ismail Kadare.
Ramon Sanchez Lizarralde, i cili u nda nga jeta të dielën pasdite, ka përkthyer në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të Ismail Kadaresë, nga ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, tek ‘Kronikë në Gur’, ‘Koncerti’, ‘Darka e Gabuar’, ‘Aksidenti’ etj.
Ai i dha lexuesit spanjoll dhe latino-amerikan një pjesë të përrallave shqiptare, një mision që konsiderohet shumë i vështirë për çdo përkthyes.
Lizarralde ka përkthyer në spanjisht edhe autorë të tjerë shqiptarë si: Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë edhe mediat spanjolle.
“Sanchez Lizarralde (Valladolid, 1951) është përkthyesi i vetëm i Shqipërisë në Spanjë dhe i vetmi përkthyes letrar i kësaj gjuhe të folur nga nëntë milionë njerëz. Ai i ka bërë të njohur botës latine shkrimtarë si Bashkim Shehu, Luan Starova, Fatos Kongoli, Mitrush Kuteli. Por shkrimtari ndaj të cilit ka pasur një përkushtim të veçantë është Ismail Kadare”, ka shkruar një media spanjolle.
Në një intervistë të bërë në Tiranë në vitin 2009, kur kishte qenë për herë të fundit në këtë vend, Lizarralde kishte treguar se ka pasur një marrëdhënie mbi tridhjetëvjeçare me Shqipërinë.
“Marrëdhëniet që kam me këtë vend janë tashmë 30 vjeçare, kur erdha për herë të parë gjatë regjimit të shkuar për të bashkëpunuar me fushën e propagandës. Por shumë shpejt më interesuan librat, njerëzit, kultura. Pas rënies së regjimit nuk i shkëputa kontaktet, kam ardhur këtu e kam përkthyer më shumë se 50 libra nga gjuha shqipe në spanjisht, kam shkruar mjaft artikuj për Shqipërinë, kam marrë pjesë në konferenca e aktivitete të ndryshme”, kishte deklaruar ai, duke shtuar se kishte ardhur në Shqipëri pa e ditur asnjë fjalë shqip. Fjalët e para që i kishte mësuar në shqip ishin gëzuar dhe raki.
“Me kalimin e kohës fillova të mësoja gjuhën. Nga familja ime që në fëmijëri isha lidhur së tepërmi me letërsinë. Ndërsa Shqipërinë fillova ta njihja së pari nga Ismail Kadare. Më dukej interesant pozicioni i tij. Ishte i njohur e i pëlqyer si shkrimtar, por kishte paksa marrëdhënie të vështira në rrethet që unë njihja. Nisa leximin e veprave të tij, fillimisht me qëllimin që të përmirësoja njohuritë e mia për vendin dhe për gjuhën. Më tej kam lexuar edhe të vjetrit, Naimin, Asdrenin, shkrimtarët kosovarë. Kam botuar dy nga librat me përrallat popullore shqiptare në spanjisht dhe tani ndihem gati- gati spanjollo-shqiptar”, ishte shprehur Lizarralde.
Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe, Lizarralde fitoi më 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë.
Në vitin 2005, ai u nderua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë.
Para disa kohesh, Mbreti Huan Carlos i Spanjës e nderoi përkthyesin e njohur me titullin Comendador i Urdhrit për Merita Civile “për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”.
Ramon Sanchez është gjithashtu autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe të studimeve shqiptare, për të cilat ai fitoi një njohje të gjerë ndërkombëtare.