E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka virtuale

Biblioteka Kombëtare prezanton koleksionet e para digjitale. Ja veprat e para, që shumë shpejt mund të shfrytëzohen nga përdoruesit. Antikuarë, dorëshkrime, epistolarë dhe periodikë.


Nga Barleti dhe Papa Piu II, tek Frakulla dhe "Albania" e Konicës


Përdoruesit e rrjeteve virtuale mund të hyjnë në kontakt me materiale të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare. Biblioteka Kombëtare njoftoi dje se janë gati për hedhjen në rrjet të koleksioneve të para digjitale, të cilat së shpejti mund të kërkohen në adresën www.bksh.al.


Më 21 prill, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, drejtori i saj Aurel Plasari, nënshkroi pjesëmarrjen si partnere në projektin Biblioteka Digjitale Botërore. BKSH-ja është ftuar nga UNESCO-ja dhe Biblioteka e Kongresit Amerikan, pasi prej vitit 2008 është përfshirë në Bibliotekën Evropiane nëpërmjet Memorandumit të Mirëkuptimit, nënshkruar mes dr.

Elisabeth Niggemann (drejtoreshë e Konferencës së Bibliotekave Kombëtare të Evropës) dhe dr. Aurel Plasari.


"Për marrjen e këtij partneriteti, specialistët tanë të sektorëve shkencorë, të ballkano-albanologjisë, të informatikës dhe teknologjive të reja, kanë punuar për një kohë të gjatë", - tha dje Plasari gjatë prezantimit të Shqipërisë Bibliotekare në Bibliotekën Digjitale Botërore. "Është një hap i hedhur prej kohësh.

Përfshirja në këtë projekt nuk na gjen duarbosh". Sepse BKSH-ja ka përfunduar digjitalizimin e disa materialeve vërtet të rrallë. U përkasin kategorive të ndryshme si, dorëshkrime, periodikë, antikuarë. Të dhënat japin një informacion për autorin, vitin, vëllimin dhe përmbajtjen me pak fjalë të materialit.


Nga poeti përfaqësues i bejtexhinjve, Nezim Frakulla, janë digjitalizuar 152 fletë dorëshkrime të vitit 1747, të cilat përmbajnë zbukurime në ar. Janë përmbledhje vjershash e divan, shkruar në gjuhët turke e perse, kushtuar Kapllan Pashës nga Vlora, Muhlis Beut nga Tirana, Dalip Mehmet Efendiut nga Kruja, etj. Një nga vjershat i kushtohet qytetit të Elbasanit.


Nga fondi antikuar është digjitalizuar një inkunabulë e Papa Piu II. "Vepra më e hershme e botuar e këtij autori, njëherësh më e rralla, është më e vjetra e koleksionit antikuar të Bibliotekës Kombëtare.

Ajo përmban 52 letra drejtuar personaliteteve të kohës dhe princërve të krishterë. Pikërisht ndër letrat e kësaj përmbledhjeje gjenden disa që lidhen drejtazi me përfshirjen e Arbërisë në projektin e kryqëzatës kundër osmanëve, si dhe me qëndresën e Skënderbeut.

Ato shërbejnë për të dëshmuar që 1459-a, posaçërisht në kontigjencat e Kuvendit të Mantuas, ishte një vit interesimi të dendur nga ana e Piut II për Skënderbeun dhe Arbërinë e tij në vështrimin e rëndësisë luftarake, por jo vetëm në të.

Në këtë vepër inkunabul, botohet, mes të tjerash, për herë të parë letra që Papa i shkruante Mehmetit II, për ta bindur të lëshonte Islamin dhe të përqafonte "besimin e drejtë", d.m.th. atë në Krishtin".

Në fakt, ky përshkrim i dokumentit është informacion i përmbledhur që prezanton materialin e rrallë në versionin digjital, të cilin po e shoqërojmë në këtë shkrim edhe me ilustrim.


Nuk mund të mungonte historia e Skënderbeut e shkruar nga Marin Barleti (Marinus Barletius) "Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis."
Po as mendimi shqiptar i Faik Konicës, i shprehur në një nga veprat e tij të hershme, në revistën "Albania".

Bëhen 100 vjet nga koha kur Konica botonte "Albania"-n dhe sot Biblioteka Kombëtare e ka digjitalizuar të tërën, duke përmbushur dy qëllime bazë të procesit të digjitalizimit: Ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe aksesin për përdoruesit.


Konica e themeloi më 1896-ën, por numri i parë i saj doli nga shtypi më 1897-ën. Dilte 2 herë në muaj në gjuhët shqipe, frënge e turke. Ishte edhe kryeredaktor i saj dhe mbante pseudonimin Trhank Spirobeg. Deri më 1901-shin "Albania" u botua në Bruksel. Nga viti 1902 e më pas, në Londër.


Një CD me Albaninë digjitale, drejtori Plasari ia dhuroi ministrit të Kulturës, Ardian Turku, i pranishëm dje me këtë rast në Bibliotekën Kombëtare. Megjithatë, ai e quan "një variant digjital të Albanisë", sepse ka nevojë të përpunohet akoma.


Për Behije Lugën, shefe e Sektorit të Informatikës dhe Teknologjive të reja, "Albania" e Konicës është e gjitha e skanuar dhe në gjendje "të kërkohet" në momentin e hedhjes në rrjetin elektronik të Bibliotekës Kombëtare. "Shpesh thonë se skanimi është digjitalizim, por materiali i skanuar është i kërkueshëm nga përdoruesi.

Ky proces është bërë mbi bazë të të gjithë elementeve të kërkimit dhe konform standardeve për koleksionet digjitale që ka sot shkenca e bibliotekonomisë.

Koleksionet digjitale të BK-së janë ndërtuar me programin Greenstone, i cili është një paketë e plotë, gjithëpërfshirëse dhe e hapur, që ndihmon krijimin, ruajtjen, prezantimin dhe përhapjen e këtyre koleksioneve digjitale. Greenstone është zhvilluar dhe shpërndarë falas nga UNESCO, në bashkëpunim me Universitetin e Waikato në Zelandën e Re dhe Human Info NGO në Belgjikë."


Projekti përmirëson organizimin e koleksioneve digjitale dhe botimin e tyre në internet dhe në CD/DVD. BK-ja së shpejti do të marrë pjesë në sistemet e burimeve të përbashkëta të informacionit midis bibliotekave evropiane, duke integruar koleksionet e saj.


Sipas shefes së Sektorit të Informatikës dhe Teknologjive të Reja, pas këtij hapi të përpunimit të informacionit digjitalizimi i materialeve të BKSH-së do të kalojë në një punë rutinë e ditës, e cila do të bëhet në bazë të listave që do të ndërtojë këshilli shkencor i BKSH-së. Është ky që përcakton se me cilët koleksione do të vazhdohet.


Biblioteka Digjitale Botërore


Është nismë e James H. Billington, propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Koïchiro Matsuura, në qershor të vitit 2005.


Si një portal në linjë (online) i përbashkët, BDB-ja mundëson qasjen në trashëgiminë kulturore të digjitalizuar - në kultura e gjuhë të ndryshme - për publikun kulturor mbarëbotëror.

Vetë portali synon t'u ofrojë përdoruesve të internetit shërbim falas dhe qasje në shumë gjuhë të koleksioneve të digjitalizuara, si: libra të rrallë, dorëshkrime, harta, regjistrime zanore, partitura muzikore, filma, video, etj.

Projekti parashikon një përfshirje të bibliotekave kombëtare dhe institucioneve kulturore nga mbarë bota, si dhe të organizmave ndërkombëtare: UNESCO dhe IFLA (International Federation of Institutions and Library Association).


Përfshirja e Bibliotekës Kombëtare në projektin global të Bibliotekës Digjitale Botërore, do të mundësojë qasjen në këtë portal të përbashkët përmes rrjetit botëror në informacionin dhe koleksionet e rralla të digjitalizuara të BKSH-së.

Homazh Artur Tashkos

"Mes konstruktivizmit e kubizmit" quhet ekspozita antologjike me vepra të piktorit shqiptar Artur (Anastas) Tashko (1901-1994). Prezantimi bëhet sot në mbrëmje, në orën 19.00, në Galerinë "Zenit", deri më 5 maj.


Veprat e ekspozuara, ndonëse kryesisht riprodhime, sjellin artin e piktorit të ekspozuar në shumë galeri të botës dhe vetëm për herë të parë në Shqipëri, profesori Emeritus i Historisë së Universitetit të Sirakuzës, Arthur Tashko LeGacy, i biri i piktorit, është i ftuari i nderit në çeljen zyrtare të ekspozitës.


Kjo ngjarje u bë e mundur edhe sajë kontributit të dirigjentit Eno Koço, një nga të afërmit e pakët të piktorit shqiptaro-amerikano-kolumbian, i cili gjithë jetën e kaloi larg Shqipërisë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›