Ish-ushtarakët, skema e plotë e rritjes së pensioneve
Nga 1 maji minatorët do të përfitojnë rritje në masën 10% në trajtimin e veçantë financiar
Qeveria vendosi rritjen me 4% të pensioneve për ish-ushtarakët, pilotët, oficerët detarë, ish-policët
Vendimi i djeshëm i qeverisë parashikon rritje pensionesh për ish-ushtarakët, policët dhe punonjësit e minierave. Në bazë të vendimit të djeshëm, nga 1 maji do të ketë rritje pensionesh në masën 4 për qind për të gjithë ata ish-ushtarakë që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensione suplementare pleqërie dhe invaliditeti. Në të njëjtën masë do të rriten edhe pensionet suplementare që marrin familjarët e ushtarakëve, të cilët kanë humbur jetën për shkak të detyrës, përfshirë këtu edhe pilotët. Gjithashtu në të njëjtën masë do të rriten trajtimet e veçanta financiare për pilotët në pension, oficerët dhe nënoficerët lundrues, të nëndetseve dhe polumbarët e Forcave Detare, në pension.
Policët
Qeveria ka vendosur të rrisë në të njëjtën masë prej 4 për qindësh edhe pensionet për punonjësit e policisë së shtetit. Kështu nga muaji i ardhshëm do të rriten pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që për shkak të detyrës, bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që humbasin jetën, për shkak të detyrës, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
Minatorët
Rritjen më të madhe do të përfitojnë ish-punonjësit e minierave. Sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, parashikohet një rritje në masën 10 për qind të trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë. "Efektet financiare, për vitin 2009, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 93 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi i kontigjencës",- citohet në vendim. Kryeministri Berisha në fjalën e tij tha se këtu nuk është përfshirë një rritje që shtrihet në të gjithë muajt, që për fshatin shkon 10 për qind dhe qytetin 5 për qind, të cilën e kemi quajtur 'kartolina e Vitit të Ri' dhe me të zerohet e tërë rritja e çmimeve. Kjo është rritje neto e pensioneve",- tha kryeministri.
-----------------------------------------------------------------------------------
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", të ndryshuar, të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", të ligjit nr. 9128, datë 29.7.2003 "Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension", të ligjit nr. 8455, datë 4.2.1999 "Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit", të ndryshuar, të ligjit nr. 9361, datë 24.3.2005 "Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension", të ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000 "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë", të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004 "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake", me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave,
V E N D OS I:
1. Rritjen ne masen 4 % te;
a. Pensioneve te parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që për shkak të detyrës bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare, pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve, që kane humbur jetën për shkak të detyrës, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", të ndryshuar, dhe pensioneve familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999 "Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit", të ndryshuar, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
b. Pensioneve te parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që për shkak të detyrës, bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare dhe pensioneve suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që humbasin jetën, për shkak të detyrës, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë dhe kjo datë.
c. Trajtimeve te veçanta financiar i pilotëve fluturues në pension .
d. Trajtimeve te veçanta financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension.
e. Trajtimeve te veçanta financiare te punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake
2. Rritjen ne masen 10 % te trajtimeve te veçanta financiar te punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë.
3. Rritjen, në masën 4 për qind, do ta marrin edhe të gjitha përfitimet e përcaktuara ne piken "1", kur caktohen pas dates se hyrjes ne fuqi te këtij vendimi, por me datë fillimi deri në 30.4.2009, përfshirë edhe këtë datë.
4. Efektet financiare, për vitin 2009, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 93 milione lekë dhe të përballohen nga fondi i kontigjencës, i caktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2009, për rritjen e pensioneve.
5. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 maj 2009.