E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet e më pas braktiset automjeti

LEZHË - Pasi kanë parë një automjet i cili ka qëndruar me orë të tëra pa lëvizur në afërsi të segmentit rrugor Milot-Burrel, banorët e fshatit Bërshet kanë lajmëruar policinë. Autovetura tip "Benz" me ngjyrë të zezë dhe pa targa ka qëndruar pa lëvizur që nga mesi i natës shumë pranë dy lavatriçeve që punojnë në këtë zonë.

Sapo është marrë njoftimi shërbimet e policisë kriminale kanë njoftuar sallën operative të drejtorisë së policisë së Tiranës e cila ka saktësuar se është bërë kallëzim për vjedhjen e një mjeti me këto të dhëna, vjedhje e kryer rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së hënë në Tiranë.

Pas këqyrjes së bërë mjetit "Benz", pa targa, me ngjyre të zezë, rezultoi të ishte mjeti me targë VL 7585 B, në pronësi të shtetasit B.H., banues në lagjen Nr.9, Tiranë, me profesion inxhinier.

Raste të tilla ku mjete të vjedhura kryesisht në Tiranë gjenden të braktisura në zonën e Kurbinit janë bërë mjaft problematike, pasi dyshohet se bëhet fjalë për persona që janë të organizuar në këto vjedhje.

--------------------------------------------------------------------------------------

Banorët në protestë për tapitë

Banorë të shpërngulur nga fshatrat Tejdrin, Kënetë dhe Përbregas të Kukësit e të sistemuar në fshatin "Rinia" të komunës së Katundit të Ri, kanë protestuar dje para Prefekturës së Durrësit për të drejtën e pronësisë së dhënë nga shteti, por të mohuar nga hipoteka.

Ata jo vetëm kanë kërkuar tapitë e tokës, por edhe kanë akuzuar qeverinë se pronat e tyre ia ka dhënë biznesmenit serbo-boshnajk Damir Fallziç.

Bëhet fjalë për 400 familjet e shpërngulura nga Kukësi nga përmbytja që shkaktoi liqeni i Fierzës dhe shteti vendosi t'ua kompesojë pronat e tyre në fshatin Rinia. Përfaqësues të mbi 200 familjeve të ardhura nga veriu i Shqipërisë protestuan për rreth 3 orë para prefekturës së Qarkut të Durrësit.

Ata thonë se dokumentacioni i tyre nuk njihet dhe nuk po u japin tapitë. Sipas banorëve, ata do të vijojnë protestat, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, që janë në përputhje me ligjin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›