Biden: Nuk pres që Kina t’i ofrojë armë Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk pret “iniciativë masive” prej Kinës për t’i ofruar armë Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Komentet e tij vijnë disa ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka thënë transmetuesit amerikan CBS, se Kina është duke “shqyrtuar mundësinë e dërgimit të mbështetjes vdekjeprurëse” te Moska, duke nisur nga “municioni e deri te armët”.
Në një intervistë televizive të transmetuar më 24 shkurt, Biden duket se ka tërhequr mbrapsht komentet e Blinkenit. “Nuk pres – nuk kemi parë diçka të tillë ende – por nuk pres iniciativë masive nga ana e Kinës për t’i ofruar armë Rusisë”, ka thënë ai. Biden e ka përmendur një bisedë që e ka zhvilluar me presidentin kinez, Xi Jinping në verën e kaluar, ku, sipas tij, i ka bërë të qarta pasojat nëse i ofrohen armë Rusisë. “Pa ndonjë miratim qeveritar, 600 korporata amerikane e kanë lënë Rusinë – nisur nga McDonald’s e deri te Exxon”, është cituar t’i ketë thënë Biden presidentit kinez. “Dhe i kam thënë, “nëse edhe ju përfshiheni në këtë brutalitet, të mbështetjes së brutalitetit që është duke u zhvilluar, ju mund të përballeni me pasoja të njëjta””.
I pyetur nëse Kina do të tejkalonte vijë të kuqe, në rast se Pekini i ofron armë Rusisë, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do të përgjigjeshin”. “Do të ishte qasja e njëjtë sikur për të gjitha shtetet tjera. Me fjalë tjera, ne do të vendosnim sanksione të ashpra ndaj secilit që vepron ashtu”.
/ rtsh.al /