E Enjte, 5 Nëntor 2026

Biden mbron tërheqjen nga Afganistani: Qëndrimi ushtarakisht atje nuk ishte më opsion

Presidenti Joe Biden mori përgjegjësinë për vendimin e tërheqjes përfundimtare nga Afganistani, duke shtuar se qëndrimi më gjatë ushtarakisht atje nuk ishte më një opsion. Ai iu përgjigj edhe kritikave për kaosin e krijuar në Aeroportin e Kabulit me evakuimet. Biden tha se ai beson se edhe nëse evakuimet do të kishin filluar në qershor, ose korrik, prapë “do të kishte pasur kaos në aeroport”.

Biden e cilësoi misionin e evakuimeve si një sukses historik. “Asnjë vend tjetër në botë nuk mund dhe nuk ka kapacitetet për ta bërë këtë që bëmë ne”, deklaroi ai.

120 mijë persona u evakuuan nga Afganistani brenda pak ditëve, përfshirë këtu 6 mijë civilë amerikanë, shtetas të tjerë të huaj dhe vetë afganët që bashkëpunuan me SHBA. Megjithatë, jo të gjithë amerikanët janë larguar. Sipas Biden në Afganistan ndodhen deri në 200 shtetas amerikanë, me shtetësi të dyfishtë, që kanë zgjedhur vetë të qëndrojnë. Ai tha se SHBA është e gatshme t’i evakuojë nëse do të duan. Më shumë se 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan dhe më shumë se 23,000 mbetën të plagosur.

Biden zbulon strategjinë e re të SHBA kundër terrorizmit: Jo më trupa në terren

Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se SHBA nuk ka mbaruar punë me ISIS-in ende. Duke iu drejtuar grupit militant ISIS, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh: “Nuk kemi mbaruar ene punë me ju. Nuk do të falim dhe nuk do të harrojmë.”

Presidenti amerikan tha se është në interesin kombëtar të amerikanëve që lufta në Afganistan të mbaronte tani, pasi “SHBA duhet të merret me kërcënimet e 2021 dhe të së ardhmes dhe jo me ato të vitit 2001”.

Ai thotë se “kjo është një botë e re” dhe ka kërcënime nga al-Shabab, anëtarët e al-Kaedës dhe grupi i Shtetit Islamik.

“Unë nuk besoj se siguria e Amerikës është rritur duke vendosur mijëra trupa dhe duke shpenzuar miliarda në Afganistan,” thotë ai.

Ai thotë se strategjia amerikane duhet të ndryshojë dhe nuk ka nevojë të ketë trupa në terren për të luftuar terrorin.

“Ne goditëm ISIS-K nga distanca disa ditë pasi ata vranë 13 nga anëtarët e shërbimit tonë dhe dhjetëra afganë të pafajshëm”. 

SHBA ishte e përgatitur për kolapsin e shpejtë të Afganistanit

Në një dalje për mediat, Biden tha se “ne përfunduam një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori”, teksa iu referua evakuimeve në Afganistan.

“Asnjë komb nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë në të gjithë historinë; vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë atë“, tha më tej Biden.

Biden e filloi fjalimin e tij duke falënderuar personelin ushtarak amerikan për punën e tyre që çoi në evakuuimin e më shumë se 120,000 personave nga Kabuli.

Ai tha se operacioni nuk do të ishte i mundur pa “aftësinë, trimërinë dhe guximin vetëmohues” të trupave amerikane, diplomatëve dhe personelit të inteligjencës.”

SHBA ishte e përgatitur për kolapsin e shpejtë të Afganistanit, tha presidenti Amerikan.

“Ne ishim gati kur forcat afgane të sigurisë … nuk qëndruan aq gjatë sa prisnim.”

Presidenti amerikan u shpreh ndër të tjera se 90 për qind të amerikanëve që donte të largohej nga Afganistani e patën mundësinë që të largoheshin.

Presidenti Biden tha se ai pranon përgjegjësinë për vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani, duke shtuar se ai beson se qëndrimi më i gjatë nuk ishte një opsion.

“Disa thonë se duhet të kishim filluar evakuimin masiv më herët” tha ai. “Unë nuk pajtohem.”

Më shumë se 2,400 ushtarakë amerikanë u vranë në luftën afgane, me gati 23,000 të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›