Bie akuza për Pinarin, Delijorgjin e Minxollin

TIRANË- Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, tre të akuzuarit kryesorë për ngjarjen e Gërdecit, lirohen nga akuza e shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive, për të cilën u hetuan fillimisht. Vendimi është marrë nga grupi hetimor i çështjes, i cili pas katër muajsh hetim intensiv, arriti në konkluzionin se në fabrikën e demontimit të predhave nuk kishte asnjë rregull në mënyrën e të funksionuarit e kësisoj, ata nuk kishin më se çfarë të shkelnin. Burime pranë grupit hetimor pohojnë për “Korrierin” se, nga 15 marsi, dita kur ndodhi tragjedia me pasoja të rënda, e deri pak kohë më parë, një nga çështjet kryesore ku është fokusuar puna e Prokurorisë ishte edhe klasifikimi i akuzave zyrtare. Nga dëshmitë e marra gjatë kësaj kohe, pamjet filmike të xhiruara brenda fabrikës së Gërdecit dhe konsultimi i manualeve të ndryshme ushtarake që përcaktojnë rregullat e sigurisë për këto lloj veprimtarish, Prokuroria arriti në përfundimin se gjatë procesit të demontimit nuk ka pasur asnjë rregull për sigurinë në punë. Me këtë arsyetim grupi hetimor ka vendosur të lirojë nga akuza fillestare tre personat e arrestuar, veprimtaria e të cilëve sipas Prokurorisë i bën ata përgjegjës për akuzën e vrasjes me dashje, në mënyrë indirekte të dy ose më shumë personave, duke përbërë rrezik edhe për jetën e shumë personave të tjerë.
Vendimi
Burimet sqarojnë se tre të ndaluarit për tragjedinë e Gërdecit, fillimisht u hetuan për akuzën e shkeljes së rregullave për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Në shërbim të kësaj piste, grupi hetimor administroi rreth 120 dëshmi nga punëtorët e fabrikës së Gërdecit, të cilët para prokurorëve të çështjes kanë deklaruar se gjatë proceseve që kryheshin në ish-repartin e Tankeve gjithçka funksiononte pa rregulla. Në ndihmë të kësaj piste erdhën edhe filmimet e realizuara brenda ambienteve të fabrikës nga pronari i kompanisë “SAC”, Patrick Henri III. Nga pamjet filmike, sipas Prokurorisë, dallohej fare qartë mënyra se si organizohej procesi i demontimit dhe administrimi i nënprodukteve të përftuara nga ky proces. Të gjitha veprimet e kryera në këtë drejtim, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, treguan se veprimtaria që kryhej brenda fabrikës nuk bazohej mbi asnjë rregull. Pikërisht ky fakt, i bazuar në disa prova, bindi grupin hetimor që t’u heqë tre të pandehurve akuzën fillestare, duke u atribuuar një akuzë akoma më të rëndë, e cila erdhi si pasojë e mosvendosjes së këtyre rregullave.
Përgjegjësia
Roli dhe përgjegjësia e tre të dyshuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit, sipas Prokurorisë, ishin dy pikat kryesore që u mbajtën parasysh gjatë formulimit të akuzës së vrasjes me dashje kundër dy ose më shumë personave. Sipas Prokurorisë, tre të ndaluarit dyshohet se janë përgjegjësit kryesorë për këtë ngjarje, pasi “Meico”, e drejtuar nga Ylli Pinari, ishte ngarkuar të mbikëqyrte procesin e demontimit, e cila realizohej nga firma “Albademil”, me administrator Mihal Delijorgjin dhe drejtor ekzekutiv Dritan Minxollin. Sipas Prokurorisë, këta persona i parashikonin pasojat që vinin nga procesi i demontimit, por megjithëse nuk i dëshironin, nuk kanë kryer asnjë veprim për t’i parandaluar ato. Përkundrazi, Prokuroria dyshon se përgjatë dy muajve të parë të vitit 2008, si “Meico”, ashtu dhe “Albademil”, kishin shtuar sasinë e municioneve që do të demontoheshin, duke rritur kështu rrezikun për jetën e punonjësve të fabrikës, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e një tragjedie të mundshme, ashtu siç ndodhi realisht më 15 mars.
Akuzat mund të shtohen
Akuza e vrasjes me dashje, në mënyrë indirekte të dy ose më shumë personave, nuk është e vetmja që mund të rëndojë mbi tre të dyshuarit kryesorë si përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit. Mësohet se grupi hetimor mund të rendisë dhe një sërë akuzash më të lehta ndaj tyre, të cilat përmbledhin punësimin e paligjshëm të grave dhe fëmijëve, ndotjen e mjedisit apo dhe akuza të tjera për të cilat po punohet. Me akuzën që kanë aktualisht tre të ndaluarit, në rast se shpallen fajtorë nga Gjykata rrezikojnë dënimin nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.