Maradona në Shkodër për Napolin

TIRANË – Diego Armando Maradona mund të jetë në Shkodër më 17 gusht. Ylli më i madh i futbollit botëror që nga koha e Pelesë (apo ndoshta edhe para tij) mund të kandiset që të vijë në tokën shqiptare nga kompania që ka të drejtën televizive të ndeshjes Vllaznia-Napoli, të vlefshme për turin e parë eliminator të Kupës UEFA, në stadiumin “Loro Boriçi”. Këtë e bënë të ditur dje burimet në klubin shkodran, që kishin folur me presidentin e Vllaznisë, Valter Fushaj.
“”Maradona mund të jetë në Shkodër, - mësohet të ketë thënë Fushaj, - kompania që ka të drejtën televizive të ndeshjes ka ndërmend që ta bindë që të vijë në stadium ditën e ndeshjes dhe interesi i kompanisë është që të rrisë interesimin për ndeshjen”. Të drejtën televizive e ka kompania “Sport 5” e cila do të kishte shumë interes që rëndësia e një ndeshjeje të tillë të rritej nga prania e yllit të madh argjentinas.
Ndoshta Maradona mund të bindet për shkak të të kaluarës së tij, ku 7 sezone i luajti për ngjyrat napolitane duke fituar dy titujt e vetëm kampionë që ka Napoli, njërën nga 3 kupat e Italisë që ka klubi si dhe të vetmen kupë të Europës të fituar në histori në “San Paolo”, Kupën UEFA më 1989. Napoli po del për herë të parë në kupat evropiane, pas një periudhe të zezë që e pa edhe në kategorinë e tretë, ndërsa paraqitja e fundit në Europë e të kaltërve është bërë më 1994-1995 në Kupën UEFA, eliminuar në turin e tretë nga Ajntrahti i Frankfurtit pas gjuajtjes së penalltive.
Do të vijnë 550 napolitanë
Kaq do të jetë numri i tifozëve napolitanë që pritet të vijnë në Shkodër për ndeshjen. Këtë e pohoi dje vetë presidenti Fushaj që shton se pritja do të jetë shumë e mirë, në mënyrë që të mos ketë probleme mes tifozëve. Gjithashtu Fushaj deklaroi se numri i gazetarëve italianë që do të jenë në “Loro Boriçi” do të mbërrijë në 50 apo 55. Për këtë klubi shkodran po kryen me të shpejtë akreditimet meqë kapaciteti i stadiumit në tribunën e gazetarëve nuk është shumë i madh.
Media italiane: Vllaznia, e re dhe e fortë
Mes gabimesh në vlerësime dhe informacion jo shumë të saktë, media italiane kërkon të zbulojë se cili është në të vërtetë kundërshtari i Napolit në Europë. Të kaltrit do të luajnë ndaj Vllaznisë në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA dhe një nga mediat italiane, nën titullin “topi në konfuzion” merr përsipër të tregojë kush është ekipi shkodran. Gabimet janë të shumta që nga cilësimi i Kosovës provincë autonome të Serbisë (përmendet për futbollistin nga Kosova, Ilir Nallbani) dhe deri tek dhënia për Agim Canajn e atësisë për Lorik Canën (babai i Lorikut vërtet quhet Agim).
Sidoqoftë, kur vlerëson aftësitë futbollistike “marcoliguori.blogspot” është jo keq i informuar. E di se Vioresin Sinani është sulmuesi më me emër (ndonëse jo i kombëtares siç shkruan), e di se Xhevahir Sukaj është sulmuesi kryesor sot dhe se Elvin Beqiri është një mbrojtës me përvojë dhe i kombëtares. Po ashtu e di se Belisha është një mesfushor që krijon raste për sulmuesit dhe se dy lojtarë shumë të mirë në krahë janë Safet Osja dhe Gilman Lika.
Duke paralajmëruar Napolin, faqja në internet shkruan: “Sidoqoftë, Napoli duhet të ketë më shumë frikë forcën fizike të mirë të Vllaznisë që mund t’i vërë në vështirësi të kaltrit”. “Duhet pasur kujdes sidomos në ndeshjen e parë më 14 gusht (në Shkodër) si dhe të mos harrohet mosha mesatare e shqiptarëve që sillet rreth 26 vjeç”.