E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie çmimi i naftës, që dje, 5 lekë më pak

Në tregun shqiptar nafta ra me pesë lekë për litër, por në krahasim me tregun ndërkombëtar duhet të ulet edhe me 13 lekë të tjera

Në tregun ndërkombëtar nafta ka rënë me 20%, ndërsa në Shqipëri ulja është vetëm 2.5%

Çmimet e karburanteve në tregun shqiptar u ulën me gati 5 lekë për litër, por krahasuar me çmimet e tregut ndërkombëtar, vërehet se janë ende shumë të larta. Gjatë ditëve të fundit, të gjitha pikat e karburantit në vend ulën çmimet e eurodizelit, naftës D2 dhe benzinës, kryesisht për shkak të ftohjes së çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar. Më herët gjatë korrikut, çmimi i eurodiezelit arriti në Shqipëri në 172 lekë, çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Gjatë ditëve të fundit, eurodiezeli u shit për 166 lekë për litër në Tiranë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit ra deri në 163 lekë për litër. Dy ditë më parë, Instituti i Statistikave njoftoi se rritja e çmimeve të naftës në korrik qe 2.3%, ndërsa benzina u rrit me 1.6%. Gjatë muajit qershor, çmimi i karburanteve qe rritur me 6.1%.

Sa një e dhjeta e tregut ndërkombëtar

Çmimet e produkteve të gatshme të hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar u ulën me rreth 20% që kur arritën kulmin në javën e dytë të korrikut. Por ulja e çmimeve në tregun shqiptar gjatë ditëve të fundit qe vetëm 2.5%. Tregtarët thonë se do të duhet të kalojë edhe disa javë para se rënia e çmimeve në bursë të pasqyrohet në tregun e brendshëm. Të dhënat e Financial Times tregojnë se çmimi i diezelit të standardit gjerman ra në 1023 dollarë për ton gjatë ditëve të fundit. Në korrik nafta arriti kulmin në 1322 dollarë për ton. Çmimi i benzinës ra me 17% në tregun ndërkombëtar gjatë ditëve të fundit, duke zbritur në kuotën e 977 dollarëve për tonë. Çmimet e sotme në tregun ndërkombëtar janë të njëjta me çmimet e muajit prill, kur në Tiranë çmimi i eurodiezelit u rrit në 153 lekë për litër.

Çmimi i naftës bruto në tregun ndërkombëtar ra më tej gjatë javës së kaluar deri në 115 dollarë për fuçi.

Tregu shqiptar

Në Shqipëri u konsumuan gjatë vitit të kaluar rreth 550 mijë tonë naftë dhe benzinë, nga të cilat, 413 mijë u importuan, ndërsa pjesa tjetër u prodhua në vend. Për shkak se është treg i vogël, numri i anijeve me karburant që vijnë në portet shqiptare është gjithashtu shumë i vogël, gjë që sjell një pasqyrim të vakët të çmimeve të tregut ndërkombëtar. Nafta e importuar në Shqipëri taksohet fillimisht në doganë mbi çmimet e referencës që përcaktohen nga administrata doganore. Një vendim i muajit të kaluar, ka rritur taksimin për naftën me 1 deri në 2 lekë për litër, gjë që është pasqyruar edhe në çmimin final që paguajnë konsumatorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›