Qeveria nuk tërhiqet, kontroll mbi gjyqësorin
Këshilltari i kryeministrit, Fatbardh Kadilli, është shprehur se është i nevojshëm kontrolli politik mbi gjykatat
Gjyqësori dhe shëndetësia mbeten ende sektorët më të prekur nga korrupsioni. Rezultatet e sondazheve të publikuar pak kohë më parë dhe nga organizatat joqeveritare janë pranuar së fundi dhe nga vetë qeveria. Këshilltari i kryeministrit Berisha për Antikorrupsionin, Fatbardh Kadilli, duke interpretuar këto nivele të korrupsionit, pranon dështimin e qeverisë në këtë drejtim, pavarësisht angazhimit të vendosur të kryeministrit për ta çmontuar atë me rrënjë. “Korrupsioni mbetet patjetër problematik si në shëndetësi apo dhe në sektorë të tjerë përfshi edhe gjyqësorin”, - u shpreh Kadilli. Por ky duket se është thjesht një konstatim për të justifikuar një dëshirë të hershme të politikës për të vënë nën kontrollin e vet edhe këtë pushtet që në bazë të kushtetutës duhet të jetë i pavarur. Në një kohë kur Kuvendi ka miratuar me konsensus ligjin për pushtetin gjyqësor, kryeministri Berisha nëpërmjet këshilltarit të vet, Fatbardh Kadilli, risjell edhe një herë në plan të parë debatin për një kontroll politik mbi këtë pushtet. Sipas Kadillit pavarësia që i është dhënë këtij pushteti ka bërë që ai të jetë i pakontrolluar në aktivitetin e vet dhe pse në vazhdimësi renditet si një nga fushat me korrupsion më të madh. Prandaj thekson ai është e domosdoshme për të riparë raportet e gjyqësorit me pushtetin ekzekutiv, pasi është ky i fundit që duhet të paguajë faturën për çdo rezultat negativ që shënohet në këtë drejtim. “Gjyqësori mbetet i pakontrolluar nga përgjegjëshmëria politike. Ndoshta mund të ishte një alternativë forcimi i kontrollit politik, jo në kuptimin e politizimit, por në mbajtjen të përgjegjshëm përballë publikut. Gjyqësori nuk ka një instrument që ta mbajë të përgjegjshëm. Pra nëse qeveritë votohen, të zgjedhurit lokalë votohen, në rastin e gjyqësorit puna e tyre nuk matet me votën e popullit”, - tha Kadilli. Për të justifikuar idenë e ndërhyrjes në pushtetin gjyqësor, këshilltari i kryeministrit për antikorrupsionin ka prurë në vëmendje të opinionit se gjykatat kanë vlerësuar pozitivisht vetëm 50 për qind të 400 rasteve të denoncuara nga qeveria për korrupsion në administratën shtetërore. Nuk dihet ende nëse një qëndrim i tillë do të prodhojë më pas një nismë konkrete për të ligjëruar këtë ide, por vlen të theksohet se kjo përbën përpjekjen e radhës së ekzekutivit për të shtrirë kompetencat e veta edhe mbi institucione dhe pushtete të tjera të pavarura. Vetëm pak ditë më parë përfaqësues të huaj dhanë alarmin për një përpjekje të qeverisë për të vendosur nën kontroll me ligj institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke i hequr imunitetin kryeprokurorit ashtu dhe duke futur një përfaqësues të qeverisë në Këshillin e Prokurorisë. Ndërkohë që shumë shpejt Kuvendi pritet të marrë në shqyrtim dhe dy nisma të tjera si pjesë e reformës në drejtësi, projektligjin “për administratën gjyqësore” dhe projektligjin tjetër “për krijimin e Gjykatës Administrative”.