E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie poshtë padia e Gjonbalajt ndaj gazetarit Lavdim Hamidi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pushuar padinë private të kreut të Bordit të Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Rexhë Gjonbalaj, ndaj gazetarit të sektorit të ekonomisë në të përditshmen “Zëri”, Lavdim Hamidi.
Kreu i Bordit të PTK-së ka paditur gazetarin Hamidi, pasi që ky i fundit, më 12 prill 2012, kishte shkruar një artikull në gazetën “Zëri” në lidhje me shpenzimet e paarsyeshme të Bordit në vlerë prej 320 mijë euro për 3 vjet, të cilat nuk kanë qenë të parapara me ligj.

Sipas vendimit të shqiptuar në fund të janarit 2013 nga gjykatësi themelor, Naser Foniqi, padia private e Gjonbalajt, pushon së proceduari për faktin se vepra penale “shpifje” është dekriminalizuar pas aprovimit të Ligjit Civil kundër Fyerjes dhe Shpifjes.

“Tani për këto vepra penale nuk mund të shqiptohet sanksioni penal, nuk mundet dikush të shpallet fajtorë, për faktin se të gjithë ata që konsiderohen se janë fyer, apo është shpifur ndaj tyre, është siguruar një mbrojtje tjetër ligjore në procedurë kontestimore (Ligji Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes). Pra, sipas këtij Qëndrimi Parimor, vepra për të cilën paditet i pandehuri nuk përbën vepër penale”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e vendimit të gjyqtarit Foniqi, transmeton Zëri.

Hamidi në këtë artikull po ashtu kishte përmendur faktin se kreu dhe anëtarët e Bordit çdo vit kanë marrë dhjetëra mijëra euro bonuse nga kompania publike, kanë shfrytëzuar vetura zyrtare dhe benificione të tjera.

“Bordi i PTK-së vazhdimisht ka përfituar bonuse të majme bashkë me punëtorët e kompanisë. Sipas disa raporteve financiare, PTK në vitin 2008 kishte shpenzuar 109 mijë euro për kompensimin e anëtarëve të Bordit, 192 mijë euro shpenzimet kishin arritur në vitin 2009, ndërsa rreth 200 mijë euro në vitin 2010”, thuhej ndër të tjera në artikull.
Gazetari Hamidi para se ta botonte shkrimin kishte tentuar që ta kontaktonte edhe Rexhë Gjonbalajn, por një gjë e tillë kishte qenë e pamundur. Derisa në atë kohë Gjonbalaj nuk ishte përgjigjur në telefon, ai dy ditë më pas kishte ushtruar padi private në Gjykatë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›