E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bieber: Institucionet efikase, rrisin numrin e njohjeve

Prishtinë -Mënyra më efikase për Kosovën që të rris numrin e njohjeve është zhvillimi i institucioneve efikase, tha në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, eksperti për çështje të Evropës Juglindore Florian Bieber. Sipas tij, opinioni i GJND për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë plotësisht i qartë. “GJND-ja mund të jetë ndihmesë për Beogradin që të flas ndryshe me qytetarët e vet për Kosovën”, tha profesori i Universitetit të Kornuellit, Florian Bieber.

Radio Kosova: Kosova ka hyrë në vitin e dytë të funksionimit si shtet i pavarur. Si e vlerësoni procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës?

Florian Bieber: Viti i parë ishte shumë ambicioz. Shumë gjëra kanë ndodhur dhe shumëçka është arritur. Kushtetuta është miratuar dhe Kosova është pranuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Mirëpo, konsolidimi i cilitdo shtet është proces afatgjatë dhe i vështirë, i cili nuk ndodh brenda natës. E njëjta gjë po ndodh edhe me Kosovën. Është e qartë se procesi është shumë larg nga kompletimi i tij. Përfshirja në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimi i plotë i brendshëm janë qëllime afatgjate. Gjatë kësaj periudhe u tregua se ky proces ka filluar, por ende ka shumë pengesa kështu që mendoj se nuk duhet ta shohim këtë proces si diçka që realizohet brenda natës, por si diçka që kërkon kohë dhe durim njëkohësisht.

Radio Kosova: Sa është Kosova vërtetë vend sovran me pavarësinë e mbikëqyrur ?

Florian Bieber: Sovraniteti është diçka që nuk kompletohet plotësisht asnjëherë. Është e qartë se Kosova hyn në radhën e shteteve që kanë më shumë kufizime se sa disa vende tjera. Por, merrni për shembull Bosnje Hercegovinën. Ajo është e pavarur që nga viti 1992, ndërsa që nga viti 1995 ka pasur prani ndërkombëtare, përfshirë edhe Përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar me pushtet të ndërrimit të zyrtarëve dhe ndryshimit të ligjeve. Megjithatë, askush nuk e vë në dyshim faktin se Bosnja është sovrane. Kështu që mendoj se Kosova ka kufizime dhe ajo nuk është sovrane si vendet tjera, por nëse shikoni fuqinë e përfaqësuesve ndërkombëtare, e shihni se ato nuk janë më të mëdha se sa kanë qenë në Bosnje. Megjithatë sfida mbetet se si të bëhet dhe se si të arrihet që Kosova të bëhet plotësisht sovrane në mënyrë që të mund të integrohet në Bashkimin Evropian apo të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Kjo natyrisht është sfidë reale.

Është diçka që nuk do të ndodh shpejtë, është proces në të cilin Kosova do të marrë më shumë kompetenca dhe aktorët ndërkombëtarë do të reduktojnë ndikimin e tyre. Fatmirësisht ky proces po ecën mirë, por nuk finalizohet me kalimin nga një vit në tjetrin. Në Bosnjë është vështirë t’i shihet fundi këtij procesi dhe është vështirë të imagjinohet se Kosova mund ta kalojë brenda natës.

Radio Kosova: Në njërën nga ligjëratat tuaja që kam lexuar para kësaj interviste, kam gjetur një vlerësim të tillë: nëse jeni kosovar etnik në shumë mënyra ju jeni pa shtet. Zoti Bieber, çfarë realisht keni menduar me këtë?

Florian Bieber: Mendoj se këtë e kam thënë para shpalljes së pavarësisë. Ajo që mendoj unë është kahja sfiduese për arritjen e gjendjes në të cilën jo vetëm shqiptarët e Kosovës por edhe të tjerët do të ndjejnë se kanë shtetin e tyre dhe se shteti i tyre kujdeset për ta. Kjo natyrisht deri në njëfarë shkalle është arritur me shpalljen e pavarësisë, me faktin se shqiptarët e Kosovës e kanë tani shtetin, i cili mund t’u ofrojë shërbime. Sfida është që të mos kemi shtet vetëm simbolik por shtet me të cilin njerëzit mund të identifikohen.

Hapi tjetër është ndërtimi i shtetit në të cilin edhe të tjerët, para së gjithash serbët por edhe romët apo ashkalinjt të identifikohen me të. Normalisht kjo nuk varet vetëm nga Kosova, mirëpo institucionet e Kosovës duhet të kalojnë rrugë të gjatë për ta bërë secilin të ndjehet se është i përfaqësuar nga shteti i Kosovës. Ky është proces i vështirë por nuk duhet t’u lihet ndërkombëtarëve.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për raportet e vështira me Serbinë dhe të cilat nuk do të zgjidhen lehtë, por rruga e vetme për t’i bërë serbët, apo një pjesë të mirë të serbëve të ndjejnë se mund të jetojnë me Kosovën dhe në Kosovë, është që shteti i Kosovës, elita politike, institucionet në mënyrë gjeneroze t’u ofrohen serbëve dhe të injorojnë çfarëdo retorike që vjen nga Beogradi. Ndërkohë, ato duhet të shtyjnë përpara sensin e gjithëpërfshirjes dhe përkatësisë së secilit në shtet. Kjo është mënyra e vetme përmes së cilës Kosova mund të funksionojë. Kjo nuk do të ndodh shpejtë por iniciativën për këtë duhet ta ketë shteti.

Radio Kosova: Një problem tjetër tani me të cilin përballet Kosova. Në çfarë mënyre institucionet e Kosovës mund të rrisin numrin e njohjeve për Kosovën e pavarur?

Florian Bieber: Natyrisht, numri i njohjeve është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme muajt e fundit edhe pse ka pasur njëfarë suksesi për Kosovën, siç ishte rasti i njohjes nga Arabia Saudite. Mirëpo, mendoj se shumë vende tani presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, nuk pres që mendimi të jetë plotësisht negativ për Kosovën. Pres që vendimi të jetë me dy kuptimësi dhe jo i qartë, dhe, shtetet do jenë më “rehat” për njohjen e Kosovës. Sidoqoftë, sipas meje, mënyra më efikase për Kosovën që të rris numrin e njohjeve është zhvillimi i institucioneve të mira dhe efektive.

Sa më mirë që të udhëhiqet Kosova, sa më mirë që të ndjehen pakicat, aq më lehtë është që të paraqiten argumente ndërkombëtarisht për njohjen e Kosovës. Derisa Serbia apo vendet tjera të mund të thonë se pakicat nuk janë të trajtuara si duhet, Kosova do ta ketë më të vështirë të argumentojë për njohje të plotë. Mjeti më i fuqishëm për Kosovën në këtë drejtim është që të bëhet shtet i suksesshëm, pra të provojë të bëhet shtet sa i mirë që të mundet dhe kjo do t’i shtyjë shtetet. Njohja e pavarësisë do të vazhdojë dhe nuk pres se do të ketë kthesa të mëdha. Edhe 50 apo 60 shtete do të njohin Kosovën. Prirja është e qartë dhe është vetëm çështje kohe se kur njohja do të jetë globale.

Radio Kosova: Përmendët më herët Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe procesin atje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më intereson në këtë rast një aspekt tjetër i këtij procesi. Konkretisht si do të reflektojë ai raportet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Florian Bieber: Është shumë vështirë të spekulojmë se çfarë do të jetë vendimi i Gjykatës. Gjithçka varet nga vendimi i Gjykatës.

Radio Kosova: Në rast se vendimi është në favor të Kosovës ?

Florian Bieber: Nëse vendimi do të jetë në favor të Kosovës, edhe pse mendoj se nuk do të jetë plotësisht në favor të Kosovës pasi besoj se do të jetë diçka në mes – gjë e cila do të lë mjaftë hapësirë për vendet që të njohin Kosovën, atëherë do të hap derë për Serbinë që të ndryshojë politikën ndaj Kosovë. Edhe pse ministri i jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiq ka thënë se Serbia nuk do ta njoh Kosovën, edhe në rast se GJND-ja vërteton se shpallja e pavarësisë ishte legjitime, kjo do të ndikonte që elitat politike në Serbi të mbajnë një qëndrim racional ndaj Kosovës, pasi në një situatë të tillë ato do të mund të thonë se një trup e pavarur ka vërtetuar se çështja është e qartë. Nëse flasim për Serbinë atëherë ndryshimet ndaj Kosovës do të vijnë gradualisht.

Mendoj se do të marrë kohë për Serbinë që të ketë raporte normale me Kosovën, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të sjell ndihmë. Duhet të keni parasysh se çështja në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe politikat qeveritare të Serbisë në një masë të madhe janë për përdorim të brendshëm – janë për të penguar pavarësinë e Kosovës. Në një pikë do të jetë më e lehtë për autoritetet në Beograd që t’u thonë qytetarëve të tyre se kanë provuar gjithçka dhe nuk ka pasur sukses prandaj duhet të ndërmarrin strategji tjetër. Pra GJND-ja mund të jetë asistencë për të ndihmuar Beogradin që të flas ndryshe me qytetarët e vetë për Kosovën

Radio Kosova: Megjithatë, ndërkohë Beogradi vazhdon të ndikojë mbi serbët në pjesën veriore të Kosovës. Në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare nuk duket shumë e përkushtuar në procesin e integrimit të kësaj pjese. Çfarë mendoni për sa kohë mund të ruhet status quo-ja atje, apo parashihni rrezik për esklaimin e gjendjes?

Florian Bieber: Mendoj se vështirësia është se nëse shikoni realitetin e pjesës veriore të Kosovës, e shihni se për momentin është shumë e vështirë që ajo pjesë të integrohet plotësisht me pjesën tjetër të Kosovës. Atje keni popullatë shumicë serbe, keni refuzim të pavarësisë së Kosovës dhe mendoj se nuk ka mënyrë përmes të cilës bashkësia ndërkombëtare mund t’ua ndryshojë mendjen apo realitetin përmes forcës.

Çfarëdo veprimi përmes forcës, qoftë nga autoritetet e Kosovës qoftë nga bashkësia ndërkombëtare do të kishte efekt negativ, pra do t’i bindte serbët e veriut se kanë të drejtë kur refuzojnë Kosovës. Nga ky këndvështrim unë e kuptoj frustrimin e shumëkujt në Kosovë për pasivitetin apo supozimin për pasivitet të bashkësisë ndërkombëtare në pjesën veriore të Kosovës, por mendoj se është shumë e vështirë të bindësh njerëzit me masa drastike. Në rast se do të ketë përkushtim të qartë të bashkësisë ndërkombëtare se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nëse do të ketë sukses në rritje të Kosovës dhe nëse Serbia ndryshon politikën e saj, atëherë veriu do të bëhet pjesë më e afërt me Kosovën. Por, mendoj se është shumë më efikase që serbët atje të mos zemërohen, sepse në rast të zemërimit dhe të radikalizmit atëherë shpresat që veriu i vendit të jetë pjesë efektive e pjesës tjetër të Kosovës do të dëmtohen.

Radio Kosova: Një çështje tjetër: Disa vende të NATO-s kanë paralajmëruar reduktimin apo edhe tërheqjen e trupave të tyre nga KFOR-i. A rrezikon sigurinë në Kosovë reduktimi i KFOR-it?

Florian Barbier: Unë nuk jam ekspert i sigurisë dhe mendoj se ky është gjykim shumë i rëndësishëm dhe i ndjeshëm të cilin do t’ua lija ta thonë njerëzit në terren atje. Megjithatë kur disa vende si Spanja folën për këtë, nuk u duk sikur vlerësimi është bërë bazuar në gjendjen në terren, por bazuar në gjendjen e brendshme dhe kjo mendoj se është shqetësuese. Mendoj se çështja e tërheqjes së trupave u duhet lënë për të vendosur njerëzve që merren me operacionet paqeruajtëse, të cilët më së miri e dinë se cila është situata.

Megjithatë mendoj se kjo nuk duhet të udhëhiqet nga kostoja e brendshme e vendeve që dërgojnë trupat, por nga realiteti në Kosovë. Ka ende pika të nxehta në Kosovë, siç i përmendëm më herët: Mitrovica dhe protestat e fundit atje, sugjerojnë se gjendja e sigurisë është larg prej të qëndrueshmes dhe duhet siguruar se ekstremizmi në pjesën veriore nuk do të përdoret në asnjë pjesë tjetër të Kosovës. Nuk mendoj se këto tërheqje do të minojnë sigurinë sepse mbesin trupa ndërkombëtare për të garantuar sigurinë, sepse në njëfarë shkalle siguria nuk ka të bëjë me numrat por me cilësinë dhe përgatitjen e tyre. Kosovës do t’i mjaftonin vetëm disa mijëra trupa derisa ato të kenë aftësinë dhe infrastrukturën për ndërhyrje në rast nevoje. Kjo do të ishte e mjaftueshme.

Radio Kosova: Edhe në pjesën veriore të Kosovës tani më është i pranishëm misioni i Bashkimit Evropian, EULEX. Çfarë duhet të jetë roli i këtij misioni në atë pjesë të Kosovës?

Florian Bieber: Misioni i EULEX-it është i qartë që të vendos dhe të promovojë sundimin e ligjit. Kjo në fakt pjesa kryesore e agjendës. Po flisja vitin e kaluar me serbë në pjesën jugore dhe ata shumë qartë më thoshin se janë të kënaqur me idenë e vendosjes së EULEX-it sepse e dinë se ka shumë probleme me sundimin e ligjit edhe në pjesët ku jetojnë serbët.

E kuptoj se problemi për ta është që EULEX-i të mos jetë i bazuar në planin Ahtisari, në pavarësinë e Kosovës dhe të jetë neutral. Mirëpo, në njëfarë mënyre sundimi i ligjit është në të mirë të Kosovës si shtet. Pavarësisht se si e cilësoni, por sundimi i ligjit do të thotë dekriminalizim i politikës, institucione dhe qeverisje më efikase dhe të gjitha këto do të ndihmojnë argumentimin që veriu mund të jetë efektivisht pjesë e Kosovës edhe nëse misioni vetvetiu nuk e thotë këtë në mënyrë specifike, prandaj edhe nuk do të shikoja në planin gjashtë pikësh si diçka dramatike për Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›