E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien akuzat për rrugën "Durrës-Kukës"

Gjykata e Lartë la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për pavlefshmërinë e procedurës së Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatjen me një muaj të afateve hetimore të çështjes së "Durrës- Kukës". Çështja në fjalë është bërë objekt shqyrtimi për më tepër se katër muaj me radhë, duke kaluar fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë, atë të Apelit dhe në fund në Gjykatën e Lartë. Gjithçka nisi në nëntor të vitit të kaluar, kur ish- zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Armand Teliti dhe ish- drejtori Juridik në këtë dikaster, Andi Toma, nën hetim si të dyshuar për abuzime me procedurat për ndërtimin e rrugës "Durrës- Kukës", kundërshtuan vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, që në 6 nëntor, zgjati me një muaj tjetër afatin hetimor të çështjes. Gjykata e Tiranës, duke i dhënë të drejtë palës mbrojtëse, e vlerësoi kërkesën e Prokurorisë si të paarsyetuar. Kjo Gjykatë vendosi për pezullimin e hetimit të çështjes më 6 nëntor. Prokuroria e Përgjithshme e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Por, edhe kjo Gjykatë e çmoi të drejtë kërkesën e Telitit dhe Tomës. Pas kësaj çështja i kaloi Gjykatës së Lartë, që sot vendosi të lërë në fuqi vendimin për pavlefshmërinë e zgjatjes së afatit hetimor për çështjen e rrugës "Durrës- Kukës". Në dhjetor të 2008, prokuroria çoi aktet proceduriale të kësaj çështjeje për shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe, sipas saj, me cilësinë e të pandehurit janë marrë ish- ministri i Transportit sot Ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ish- drejtori juridik i kësaj ministrie, Andi Toma. Ndërsa është pushuar çështja për ish-zëvendësministrin Teliti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›