E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bien çmimet në tregun e Lushnjës – Prodhuesit po shesin nën kosto fruta-perimet

Në tregun e shumicës në Lushnje, çmimet e fruta–perimeve kanë rënë ndjeshëm këtë sezon. Ndër më të goditurit janë shalqiri dhe pjepri, dy nga produktet më të kërkuara të verës. Vetëm brenda një jave, çmimi i pjeprit është përgjysmuar, nga 140 në 70 lekë për kilogram, ndërsa shalqiri po shitet me 25 deri në 30 lekë.

Rënia e çmimeve ka krijuar një situatë kritike për prodhuesit, të cilët shprehen të rrënuar ekonomikisht. Shpesh, prodhimi kthehet mbrapsht pa u shitur, për shkak të çmimeve nën kosto.

“Trangulli 15 kg me vetëm 2000 lekë të vjetra, edhe kungulli po, por e keqja është se nuk po shitet fare”, u shpreh tregtari.

Muaji qershor përkon me kulmin e prodhimit si nga serrat ashtu edhe nga fushat. Por futja e perimeve të importit ka penguar qarkullimin e mallrave vendase.

Sipas prodhuesve, mungesa e një burse bujqësore dhe spekulimet e tregtarëve po e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

Ata akuzojnë tregtarët se nuk e marrin mallin të freskët, në mënyrë që të ndikojnë në uljen e çmimit përmes dobësimit të cilësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›