E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanc i takimit të G-20

Meksika ndodhet mjaft larg Evropës. Megjithatë edhe në këtë takim të 20 vendeve më të rëndësishme industriale dhe në ekspansion, debati u dominua nga problemet e kontinentit të vjetër. Kriza e evropiane e borxheve shihet nga joevropianët si rrezik i madh për ekonominë botërore.

Respektivisht të forta kanë qenë në të kaluarën kritikat ndaj evropianëve, veçanërisht ndaj gjermanëve, të cilët me gjasë bëjnë shumë pak për zgjidhjen e krizës. Ministri gjerman i Financave, Schäuble, u përpoq ta shuante këtë përshtypje dhe siç u shpreh me sukses: “Mendoj se në konkluzion mund të thuhet që të gjithë pjesëmarrësit i pritën shumë pozitivisht masat e marra në Evropë. Përshtypja e përbashkët ishte se jemi në rrugën e duhur me masat tona stabilizuese.”

G-20 përshëndet masat për stabilizimin e euros

Partnerët në G-20 përkrahën në veçanti hapat për unionin fiskal, frenën për borxhet dhe masat reformatore në vendet e prekura nga kriza, Itali dhe Spanjë. Edhe paketa e re e ndihmës për Greqinë është pritur shumë pozitivisht. Dhe në fakt edhe vetë ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner, i cili me dëshirë tregon se është nga kritikët më të fortë të Evropës, në takimin në qytetin e Meksikos përgëzoi evropianët për punën e bërë katër muajt e fundit: “Kjo ishte shumë e rëndësishme për të reduktuar tensionet në sistemin financiar në fund të 2011. Por tani evropianët nuk duhet të mbeten në vend, qetësimi i situatës mbështetet në pritjen se do të ndërmerren hapa të tjerë për t'i bërë të besueshme masat.“
 
Sërish kërkesë për shtimin e volumit të ombrellave të shpëtimit
Geithner përsëriti kështu edhe një herë kërkesën që evropianët të shtojnë miliardat në ombrellat e tyre të shpëtimit. Ministri meksikan i Financave u shpreh ngjashëm, po kështu edhe homologët nga Kanadaja dhe Japonia. Por edhe në Evropë tashmë thuajse të gjithë e kërkojnë këtë. Edhe Banka Qendrore Evropiane (ECB).

 “Ne si ECB kemi thënë se edhe nëse situata në tregje përmirësohet do të ishte e dëshirueshme që muret mbrojtëse të ngriheshin edhe më lart." Kështu shprehet Jörg Asmussen, anëtar i drejtorisë së ECB-së dhe deri pak kohë më parë sekretar shteti në Ministrinë gjermane të Financave.

Gjermanët nuk kundërshtojnë aq shumë sa më parë

Vetëm qeveria gjermane nuk pranon por qëndresa duket se po thërrmohet. Ministri i Financave Wolfgang Schäuble: “Ne do t'i rishqyrtojmë vendimet tona në Evropë gjatë muajit mars edhe në dritën e zhvillimeve të deritanishme për të parë nëse dimensioni i përgjithshëm i këtij mekanizmi është i mjaftueshëm apo jo. Ne do t'i bëjmë këto shqyrtime dhe do të marrim vendimet e nevojshme.”

Dhe kjo do të jetë në kohën e duhur për të përgatitur rrugën për forcimin e një "zjarrfikësi financiar" global. Evropianët kërkojnë një shtim të mjeteve të FMN-së prej 500 deri 600 miliardë dollarësh për luftimin e krizave. Pjesa më e madhe e vendeve joevropiane në G-20 janë madje të gatshëm për këtë por vetëm nëse evropianët do të ngrenë vetë muret e tyre mbrojtëse./DW-Start/

                                                                                             2012-02-27 13:06
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›