E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Zoti e ruajt Shqipërinë nga Rama

Kryeministri e quajtur të tejkaluar situatën emergjente në verilindje të vendit. Më pas, u përqendrua tek kriza energjetike dhe tek bllokimi i reformës parlamentare dhe asaj zgjedhore.

Rënie historike në kaskadën e Drinit

Berisha ritheksoi sërish sot se gjendja energjetike në vend mbetet e vështirë. “Kaskada është në nivelet më të ulëta historike. Vazhdon të mbetet në fuqi importi dhe ne do ta blejmë me çdo çmim. Shpresoj që kjo vështirësi është e përkohshme. KESH-i po bën gjithçka për të siguruar energji në rajon. Vështirësitë janë të mëdha, por janë të përkohshme”, tha Berisha. Duke folur për kritikat e opozitës dhe të disa medieve, kryeministri tha se energjia elektrike është jetike në funksionimin e vendit.

“Kritikat që i bëhen qeverisë se po përdor buxhetin për të blerë energji, dhe britmat e opozitës se ky veprim është i pa studiuar, unë dua të theksoj se energjia është jetike për funksionimin normal të një vendi. Dhe një herë e lidhur me një seri funksionesh në familje, shoqëri, biznes dhe kudo, ne do të bëjmë gjithçka që ajo kurrë të mos mungojë. Këta shokë që i linin qytetet 8-16 orë pa drita dhe vetë nuk rrinin asnjë orë pa drita, nuk kanë dhembshurinë e parave të buxhetit. Po të jetë puna për shpërndarje, për një forcë madhore po u shpërndahen qytetarëve me energji. Këto duan me çdokusht që të rikthehet koha e tyre e ndërprerjes së energjisë”, tha Berisha para deputetëve të partisë së tij.

Ai dha shpresë se gjatë këtij viti situata e furnizimin me energji do të përmirësohet. “Gjatë këtij viti hyn në përdorim një sërë hidrocentralesh të cilat rrisin kapacitetit. rojekte të tjera të mëdha janë në investim e sipër, si kaskada e Devollit. Projektet e tjera vazhdojnë”, tha më tej.

Akuza Ramës për bllokimin e reformave

Në vijim, Berisha foli gjatë edhe për bllokimin e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. “Më 20 shkurt, z. Edi Rama, në një paradoks, por edhe i trishtuar nga kujtimi i asaj dite, mashtroi shqiptarët dhe rreshtoi një seri akuzat ndaj Partisë Demokratike, se ka bllokuar reformën elektorale dhe rregullores. E bëri në kujtim të busteve të gjalla dhe të vdekura, apo e bën edhe në prag që Këshilli i Ministrave i BE bën shqyrtimin e zgjerimit, këtë ai e di vetë. Me urdhër të tij direkt, reforma e Rregullores së Parlamentit, u bllokua që në mbledhjen e parë”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama kërkonte që në rregulloren e Parlamentit t’i kufizohej fjala me 10 minua e kryeministrit të vendit. Ai foli edhe për propozimet e opozitës që dhunuesit e ligjit të dënoheshin me 8 vite burg. “Si mund të dënosh tjetrin për një flet votimi 8 vite burg? Mund ta dënosh, por jo 8 vite burg, por kjo pastaj del sikur po lexon Xhorxh Oruellin. E bën këtë në një akt urrejtje dhe mosbesimi ndaj atyre komisionerëve që në zbatim të plotë të ligjit pavarësisht përkatësisë partiake firmosën disfatat personale. Dënime 7-8 vjeçare i bën të pazbatueshme. Përpjekja për të mashtruar qytetarët, ndërkohë që vet i bllokon, është qesharake”, vijoi.

Berisha tha më tej se mazhoranca i ka ofruar të drejtën Partisë Socialiste për të hartuar të gjithë legjislacionin zgjedhorë dhe për të dërguar tek OSBE/ODIHR, por kjo u hodh poshtë, pasi-sipas Berishës- e di se fitore nuk ka në horizont. “S’kishte më akuza për humbjet. Zgjodhi variantin e dytë, variant kompromisi. Faik Konica thoshte Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët.

Ai ka pasur parasysh individ. Vetë bllokon, vetë bërtet. Ne mbetemi të gatshëm të zbatojmë përcaktimet e ODIHR-it pa asnjë hezitim. Jemi të gatshëm të përshtatim rregulloren e Parlamentit duke marrë atë të Parlamentit Evropian”, nënvizoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-27 13:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›