Bilbila maqedonas në Lushnja-PartizaniSë fundi në Shqipëri drejtuan italiani Gabriele Gava dhe slloveni Darko Ceferin.

Gjyqtari maqedonas me stemën e FIFA-s, 32-vjeçari Aleksandër Stavrev, i ndihmuar edhe nga Marjan Kirovski e Lubomir Kërstevski, do të gjykojnë “finalen e mbijetësës” midis Lushnjës e Partizanit (23 maj, “Roza Haxhiu”, 17:00). Edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka publikuar ende lajmin në faqen e saj zyrtare, fshf.org, këtë e ka bërë homologia e saj maqedonase, në faqen ffm.com.mk.
“Me kërkesë të Federatës së Futbollit të Shqipërisë, treshja e gjyqtarëve nga Maqedonia, në përbërje Aleksandar Stavrev, Marjan Kirovski dhe Lubomir Kërstevski, të shtunën më 23 maj do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjen e fundit të kampionatit ndërmjet Lushnjës dhe Partizanit, ndryshe derbi i dy skuadrave të fundit në renditje”, - shkruhet në komunikatën zyrtare të publikuar në faqen e federatës maqedonase.
Aleksandër Stavrev është një gjyqtar i njohur në Maqedoni dhe “bilbil” i FIFA-s, që nga viti 2000. Stavrev me orgjinë nga Shkupi ka drejtuar së fundi në eliminatoret e Kampionatit Botëror ndeshjen Uells-Azerbajxhan (1-0, shtator 2008; në ato miqësore, takimin Mali i Zi-Norvegji (3-1, mars 2008); në eliminatoret e Ligës së Kampioneve, përballjen Anderleht-Bate Borisov (shtator 2008). Sipas medieve sportive maqedonase, Stavrev ka qenë shpesh i konstatuar për gjykimet e tij. Stavrev do të jetë gjyqtari i parë maqedonas që do të drejtojë një ndeshje midis dy skuadrave shqiptare.
Edhe Tirana-Vllaznia, “finalja” e sezonit 2008-2009 do të drejtohet nga një treshe e huaj gjyqtarësh. Lajmi u zyrtarizua nga shefi i gjyqtarëve pranë FSHF-së, Plarent Kotherja. Gjyqtarët mund të jenë nga Gjermania ose Austria. Kjo është hera e katërt që një gjyqtar i huaj do të gjykojë këtë çift skuadrash, tre herët a para kanë ndodhur të gjitha në Kupën e Shqipërisë. Italiani Stefano Farina (2006) dhe gjermani Babak Rafati (2008) gjykuan në finalet e Kupës, ndërsa slloveni Dario Ceferin (2009) në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës.
Së fundi në Shqipëri drejtuan italiani 34-vjeçar Gabriele Gava në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Flamurtari (1-1), ndërkohë që gjysmëfinalja tjetër Tirana-Vllaznia (1-0) u drejtua nga slloveni 40-vjeçar Darko Ceferin. Italiani Gava pësoi një “shok” në Peqin, pasi ai vetë u kërcënua nga stafi peqinas, ndërkohë që ndihmësi i tij Puxhioto, u godit me një copë betoni në dorë nga ultrasit e Shkumbinit, ç’ka provokoi edhe zëmërimin e Federatës Italiane të Futbollit e kërkimin e ndjesës së FSHF-së.
Deri tani numërohen nëntë gjyqtarë të huaj që kanë gjykuar një ndeshje midis dy skuadrave shqiptare në të dyja kompeticionet, kampionat e kupë, duke nisur nga viti 2002, kur spanjolli Fernandez Marin drejtoi ndeshjen Dinamo-Tirana (0-0). “Xhaketa të zeza” nga Italia mbajnë dhe rekordin me gjashtë treshe të kryesuara nga Xhanluka Paparesta Alfredo Trentalanxhe, Stefano Farina, Paolo Taljavento, Andrea Romeo e së fundi nga Gabriel Gava.
Precedentët e “huaj”
2009
Sezoni 2008-2009
Lushnja-Partizani
Aleksandër Stavrev (Maqedoni)
2009
Gjysmëfinalet e
Kupës Shqipërisë
Shkumbini-Flamurtari
Gabriele Gava (Itali)
Tirana-Vllaznia
Darko Ceferin (Slloveni)
2008
Sezoni 2007-2008
Dinamo-Partizani 2-1
Paolo Taljavento (Itali)
2008
Sezoni 2007-2008,
Kategoria e Parë
Laçi-Apolonia 1-1
Andrea Romeo (Itali)
2008
Finale e
Kupës së Shqipërisë
Vllaznia-Tirana 2-0
Babak Rafati (Gjermani)
2006
Finale e
Kupës së Shqipërisë
Vllaznia-Tirana 0-1
Stefano Farina (Itali)
2003
Finale e
Kupës së Shqipërisë
Dinamo-Tirana 1-0
Alfredo Trentalanxhe (Itali)
2003
Plej-of,
sezoni 2002-2003
Lushnja-Apolonia 4-1
Xhanluka Paparesta (Itali)
2002
Sezoni 2001-2002
Dinamo-Tirana 0-0
Fernandez Marin (Spanjë)
E Merkure, 20 Maj 2009