Bill Clinton dëshmon para Kongresit për lidhjet me Epstein: Njohja ime me të ishte e shkurtër, nuk pashë asgjë të gabuar

Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, dëshmoi të premten me dyer të mbyllura para një paneli të Kongresit në lidhje me lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, në një seancë që pritet të ketë tone të forta politike mes demokratëve dhe republikanëve të afërt me Presidentin Donald Trump.
Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, u shpreh para Kongresit se lidhja e tij me Jeffrey Epstein ishte e kufizuar dhe përfundoi shumë vite para se krimet e Epstein të dilnin në dritë.
Në deklaratën e tij hapëse, Clinton tha se nuk kishte pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein dhe se qëllimi i tij në seancë është të ndihmojë që ngjarje të ngjashme të parandalohet në të ardhmen.
“Vajzat dhe gratë, jetët e të cilave u shkatërruan nga Jeffrey Epstein, meritojnë drejtësi dhe shërim… Edhe pse njohja ime e shkurtër me Epstein përfundoi vite para se krimet e tij të dilnin në dritë, jam këtu për të ofruar atë pak që di. Unë e di çfarë pashë dhe, më e rëndësishmja, çfarë nuk pashë. Unë e di çfarë bëra dhe, më e rëndësishmja, çfarë nuk bëra. Nuk pashë asgjë dhe nuk bëra asgjë të gabuar”, tha Clinton.
Ish-presidenti theksoi gjithashtu se nuk ishte e drejtë që gruaja e tij, Hillary Clinton, të thirrej për dëshmi një ditë më parë.
Deklarata e Clinton u postua gjithashtu në rrjetin social X për t’u bërë e njohur publikisht.
Dëshmia e Clinton vjen një ditë pas paraqitjes së bashkëshortes së tij, Hillary Clinton, e cila deklaroi para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve se nuk mbante mend të kishte takuar ndonjëherë Epsteinin dhe se nuk kishte informacion për krimet e tij seksuale.
Bill Clinton ka pranuar se ka udhëtuar disa herë me avionin privat të Epstein në fillim të viteve 2000, pas largimit nga detyra, por ka mohuar çdo shkelje dhe ka shprehur keqardhje për lidhjen me të.
Ndërkohë, demokratët kanë kërkuar që të thirret për të dëshmuar edhe Presidenti Trump, emri i të cilit përmendet në dokumentet që lidhen me Epsteinin. Trump ka pasur marrëdhënie shoqërore me Epstein në vitet 1990 dhe 2000, përpara se ky i fundit të dënohej në vitin 2008 për nxitje prostitucioni me një të mitur.
Demokratët kanë akuzuar gjithashtu Departamentin e Drejtësisë për mbajtjen konfidenciale të disa materialeve që lidhen me akuza ndaj Trump. Institucioni ka deklaruar se po shqyrton dokumentet dhe do të veprojë sipas ligjit.
Jeffrey Epstein vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa përballej me akuza federale për trafikim seksual.
/rtsh.al/