Bill Clinton shtrohet në spital pas problemeve me arteriet e zemrës
Ish presidenti amerikan Bill Clinton u shtrua në një spital të New York-ut pas dhimbjeve të forta që kishte ndjerë në kraharor.
Klinton i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hapur arteriet koronare të bllokuara në zemër.
Një këshilltar pranë ish-presidentit, Douglas Band, tha se doktorët vendosën dy tuba për të mbajtur të hapura arteriet gjatë një procedure në një spital të New York-ut të enjten pasi Clinton ndjeu shqetësime në gjoks.
Douglas Band tha se ish presidenti i SHBA-së tashmë ndjehet mirë dhe do të vazhdojë të përqendrohet në fondacionin e tij si dhe përpjekjeve në vendin e shkatërruar nga tërmeti në Haiti. Clinton i'u nënshtrua në vitin 2004 një operacioni në zemër. Bashkëshortja e tij, sekretarja e Shtetit Amerikan Hillary Clinton shkoi të enjten në New York për të qëndruar me të bashkëshortin pasi ai u shtrua në spital.
Departamenti i Shtetit tha se Hillary ka shtyrë një udhëtim të planifikuar për në Arabinë Saudite dhe në Katar. Po ashtu edhe vajza e Bill Klinton, Chelsea Klinton, ka shkuar menjëherë në spital për të qëndruar përkrah tij. Bëhet e ditur gjithashtu se ish presidenti-George Bush ka telefonuar vajzën e Bill Clinton, për t'i uruar një shërim sa më të shpejtë të të atit. Për të pyetur për shëndetin e Clintonit, vetë presidenti amerikan Barack obama e ka telefonuar atë , ndërsa ka marrë konfirmimin se gjendja shëndetësore është e mirë dhe se së shpejti Bill Clinton do të kthehet në punë.