Bimet mjekesore eksporti rritet ne 7200 tone
Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Ministrisë së Bujqësisë. Eksporti i bimëve mjekësore vijon të jetë më i ulët se sa rekordi i shënuar në vitin 2008, kur u eksportuan gjithsej 9 mijë tonë.
Bimët medicinale grumbullohen nëpër malet e Shqipërisë nga fshatarët e varfër dhe eksportohen për t’u përdorur si lëndë e parë nga kompanitë farmaceutike apo ato të produkteve të bukurisë. Ato janë eksporte tipike të vendeve shumë të varfra, pasi në vendet e pasura, nuk ka leverdi për mbledhjen e tyre.
Çmimi mesatar i deklaruar në doganë për eksportin e bimëve medicinale në vitin 2010 qe 258 lekë për kilogram.
Fshatarët që i kanë mbledhur dhe i kanë tharë këto bimë marrin zakonisht 20-50 lekë për kilogram dhe ky aktivitet u ofron punë me pagesë ditore shumë të vogël.
Shqipëria ka eksportuar bimë medicinale gjatë kohës së komunizmit, kur ky aktivitet ofronte të ardhura shtesë për familjet e varfra të zonave malore, pasi punësonte fëmijët. Rreth 3 për qind e të gjitha të ardhurave të popullatës në vitet ‘80 krijohej nga grumbullimi i bimëve medicinale.