Greva e urisë, 10 minatorë dalin, hyjnë 10 të tjerë
BULQIZË- Dhjetë minatorë grevistë kanë dalë mbrëmjen e djeshme me urgjencë nga greva për shkak të gjendjes së tyre të rëndë shëndetësore, ndërsa janë zëvendësuar menjëherë më 10 të tjerë.
Katër prej grevistëvë që sot bëjnë ditën e 22-të në grevë nuk kanë pranuar të lënë nivelin 14 të grevës së urisë.
Mësohet se 10 minatorët të cilët kanë lënë grevën natën e mbrëmshme janë transportuar menjëherë për në Tiranë në një klinikë private ku po marrin edhe mjekimet e nevojshme. Probleme të mëdha janë shfaqur me shikimin e tyre.
Greva e minatorëve ka hyrë sot në ditën e 22-të, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë ACR.
Një ditë më parë, kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolli i bëri thirrje ambasadorit të SHBA-së, Aleksandër Arvizu që si një mik i shqiptarëve të vinte në Bulqizë dhe të shihte gjendjen e minatorëve.
***
Minatoret kërkojne rritje page në masën 20%- 40%, përmirësim të kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.