Bimët mjekësore në qarkun Korçë, fermerët ngrenë si problem mungesën e fuqisë punëtore

Në zonat malore të qarkut të Korçës kultivohen dy bimë medicinale, për të cilat ka kërkesë të lartë në tregun evropian. Bëhet fjalë për dëllinjën e zezë dhe mollën e egër, dy bimë me vlera të larta ushqyese dhe mjekësore.
Dëllinja e zezë njihet për frutat e saj aromatike që përdoren në industrinë farmaceutike, kozmetike dhe në prodhimin e pijeve tradicionale. Ndërsa frutat e mollës së egër përdoren për prodhimin e uthullës natyrale, reçelit dhe lëngjeve të pasura me vitaminë C.
Sipas grumbulluesit të këtyre bimëve, Gjergji Çibuku, interesi për këto kultura pritet të rritet edhe më shumë, pasi tregu vendas dhe ai i huaj po kërkon gjithnjë e më shumë produkte natyrale. Megjithatë, pavarësisht kërkesës në rritje sasia e prodhimit nuk arrin të plotësojë nevojat e tregut.
“Kemi produkte si molla e egër, dëllinja e zezë, kokrra e trëndafilit të cilat po bëhen gati për eksport. Kemi mungesë të njerëzve nga zonat rurale të cilët mbledhin këtë produkt”, u shpreh Çibuku.
Shumë grumbullues dhe përpunues të bimëve mjekësore dhe frutave bio po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, sidomos gjatë periudhës së vjeljes. Kjo ka bërë që një pjesë e frutave të mbeten pa u mbledhur, duke ulur potencialin e eksportit dhe të përfitimeve për fermerët.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/