Kapet vjedhësi që gjakosi argjendaren
TIRANE- Arrestohet grabitësi i argjendarisë plagosi argjendaren në rrugën e Durrësit gjatë tentativës për të marrë paratë dhe sendet me vlerë në dyqan. Ibrahim Hajdaraj, 44 vjeç, nga Tropoja, me banim në lagjen 1 Maji, në Vlorë, u arrestua dje në mesditë nga zyra e hetimit të vjedhjeve me armë dhe me dhunë në kryeqytet.
Hajdaraj, sipas burimeve të policisë akuzohet se të dielën në mesditë në rrugën e Durrësit, tentoi të grabiste me armë një argjendari në rrugën e Durrësit, përballë Ministrisë së Mjedisit. Në një deklaratë për shtyp të dhënë gjatë ditës së djeshme, policia e Tiranës, tha se Hajdaraj 44 vjeç nga Vlora me precedentë penalë të mëparshëm dhe me probleme familjare pasi është i divorcuar, është identifikuar nga hetuesit e policisë si autori i dyshuar i grabitjes së mbetur në tentativë dhe plagosjes së pronares së argjendarisë, Anjeza Berisha.
I plagosuri hyri në dyqanin e e Berishës, me një thikë në dorë mesditën e të hënës, duke e kërcënuar atë që ti jepte paratë. Pas refuzimit të gruas për të dorëzuar paratë dhe sendet me vlerë, Hajdaraj qëlloi gruan me thikë duke e lënë atë të plagosur. Pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së hetimeve, blutë ngritën dyshimet mbi disa persona, ndër ta edhe ndaj 44- vjeçarit Ibrahim Hajdaraj me banim në Vlorë.
Pas hetimit të kryer, policia tha se kishte gjetur prova bindëse mbi autorësinë e krimit të së dielës në rrugën e Durrësit, ku u tentua grabitja e argjendarisë. Policia tha dje se veç këtij rasti, Hajdaraj dyshohet se është autor edhe i një grabitjeje tjetër të ndodhur po në kryeqytet. / D.B.