Bisedat për ndarjen e Kosovës, të rrezikshme
Ministri për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar, Dejvid Lidington, tha se Londra “është thellësisht e përfshirë në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ndërsa arritja e marrëveshjeve, sipas tij, shënon hapa pozitivë dhe sjell dy vendet më afër Bashkimit Evropian.
Britania e Madhe përkrah fuqishëm Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evorpian dhe raportet e mira me fqinjët i kontribuojnë avancimit të procesit të integrimit, ka thënë Lidington.
I njëjti ka konfirmuar se Britania e Madhe është e përkushtuar në mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës dhe se “bisedat rreth ndarjes së Kosovës janë të papranueshme dhe të rrezikshme”.
Lidington i ka bërë këto komente në Londër, gjatë takimit me ministren kosovare për Integrime evropiane, Vlora Çitaku.