Bisedë e qytetëruar*
Ç’do të thotë “i qytetëruar”? Me sa duket, nuk mjafton të jesh me shkollë të lartë, të mbash kravatë, të hash me pirun dhe të presësh thonjtë çdo javë. Të gjithë e dimë se të jesh “i qytetëruar”, kjo, formalisht, nuk i pengon njerëzit të sillen si barabartë. Kudo dhe në të gjitha kohët, të jesh i qytetëruar, do të thotë të njohësh dhe të pranosh karakterin human të të tjerëve, pavarësisht mënyrës së tyre të ndryshme të jetesës.
Ndonëse kjo pikë del më në pah, gjithsesi, nuk pranohet universalisht. Ideja e dialogut mes qytetërimeve zakonisht pasqyrohet mirë në shtyp, por ndonjëherë e qesëndisin. Konkluzioni i sprovës së fundit të Eli Barnavisë (Elie Barnavi) “Religjionet vrastare” (Les religions meurtrières) titullohej “Kundër dialogut të qytetërimeve”. Argumenti i tij, nuk le shteg për diskutim: “Nga njëra anë ekziston qytetërimi, nga ana tjetër, barbaria. Mes tyre është i pamundur dialogu”.
Po të shoshitet më me kujdes ky pohim, bie në sy menjëherë e meta e argumentit të Barnavisë. Kuptimi i fjalëve qytetërim dhe kulturë është shumë i ndryshëm, kur ato përdoren në numrat njëjës dhe shumës. Kulturat (shumës) janë mënyra jetese, që rrokin grupe të ndryshme humane dhe përfshijnë gjithçka që është e përbashkët tek anëtarët e tyre: gjuha, feja, struktura familjare, dieta, veshja e kështu më radhë. Në këtë kuptim, “kultura” është kategori përshkruese, pa ndonjë gjykim vlerësues.
Qytetërimi (njëjës), përkundrazi, është një kategori vlerësuese morale: kundërvënia e barbarisë. Kështu, dialogu mes kulturave jo vetëm është i dobishëm, por dhe thelbësor për qytetërimin. Pa dialog është i pamundur qytetërimi.
Në kundërshtim me pohimet e ithtarëve të idesë së një “përplasjeje qytetërimesh”, ndeshjet mes kulturash të ndryshme, zakonisht kalojnë lehtë dhe në mënyrë paqësore, sepse psikologjikisht jemi përgatitur për to. Meqenëse kultura nuk është vetëm shenjë kombi, secili prej nesh është produkt i disa kulturave, madje dhe nëse ai nuk dalë asnjëherë jashtë vendlindjes së tij. Secili prej nesh ka brenda vetes kulturën e seksit të vet, brezit, nivelit të pasurisë, klasës shoqërore dhe profesionit.
Kjo shumësi kulturash zakonisht nuk paraqet kurrfarë problemesh për ne, sepse zhvendosja nga një kod kulturor në tjetër është dhunti universale humane. Në fund të fundit, ne nuk bisedojmë me të njëjtën mënyrë me çdo person, që takojmë gjatë ditës.
Për më tepër, kulturat, e lidhura me një territor të caktuar, asnjëherë nuk janë realisht “të pastra”. Nëse thelloheni në historinë e një vendi si Franca, do të zbuloni se atje ka pikëtakime mes fiseve dhe grupeve etnike të ndryshme dhe, për pasojë, kulturash të ndryshme: gale, franke, romane dhe shumë të tjera. Sido që të shohim (përveç, mbase, luginave të largëta të Guinesë së Re, ku fise humbëtirash mund të mbesin të izoluara nga njëri tjetri), kudo ekzistojnë vetëm kultura të përziera. Por, ndërsa ka kultura që krenohen me shumësinë e tyre, të tjerat përpiqen ta fshehin atë.
Koncepti i dialogut mes kulturave ngandonjëherë është i sforcuar, ose lë përshtypjen vetëm të një shprese të kotë, sepse ne kërkojmë prej tij të pamundurën: zgjidhjen e konflikteve të nxehta politike. Dialogu, sado dashamirës, nuk mund të zgjidhë çështjet, që lidhen me lëvizjen e lirë të njerëzve ose ndarjen e territorit a burimeve natyrore. Politika dhe kultura nuk funksionojnë në të njëjtin nivel: e para, ka të bëjë me aksionin, e dyta, me formim mendësish; e para, merret me emergjenca, e dyta, mund të kërkojë breza të tërë për të arritur njëfarë rezultati.
Do të na duhet të punojmë për këtë lloj dialogu, duke filluar me nisma të thjeshta. Na nevojiten më tepër përkthime të këtyre ideve dhe letërsive të vendeve të tjera, më shumë qëndrime jashtë shtetit për studentët universitarë, më shumë përvetësim gjuhësh të huaja dhe nxitje për studime rreth kulturave të të tjerëve dhe më tepër ballafaqim mes kujtesash kombëtare (ta zëmë, mes Francës dhe Algjerisë)
Disa masa të këtij tipi tashmë ekzistojnë në Bashkimin Evropian, por do të ishte mirë të përhapeshin kudo: në Afrikë të Veriut, Lindje të Mesme, Indi, Kinë, Japoni dhe Amerikë Latine. Mënyra më e mirë për të nisur një dialog është shpërfillja e klisheve dhe fjalëve të përgjithshme, duke nxitur me këtë rast takime mes njerëzve.
Për momentin, politika ka shpallur epërsinë e saj. Gjithsesi, nga një pikëpamje tjetër, mes luftës dhe mbrojtjes këmbëngulëse për çka besojmë të jetë identiteti ynë, mbizotëron dialogu, pasi na sjell më afër prirjes që kemi për t’u sjellë njerëzisht.
Romancieri Andre Shvarc-Bart (André Schwarz-Bart) kishte qejf të tregonte këtë histori: Një kryerabin e pyetën njëherë përse shtërgu, që në hebraisht quhet Hassada (ai që dashuron) për shkak të dashurisë që ushqen për specien e vet, klasifikohet mes kafshëve të pista. “Sepse,- u përgjigj rabini,- ai dashuron vetëm specien së cilës i përket”.
*Titulli në origjinal: “Civilized Talk”
** Cvetan (Tzvetan) Todorov, filozof i shquar franko-bullgar, është Drejtor Nderi për Kërkimet Shkencore në CNR, në Paris, si dhe autor i shumë librave për historinë dhe kulturën.
Përktheu: Vladimir Mustaqi