Tiranë, 45-vjeçari grabitet me dhunë në mes të qytetit
Nevruz Kaja është marrë me forcë pranë nëntëkatësheve e pasi është goditur me levë pas koke i janë marrë paratë
TIRANË- “Të kërkon një person që të njeh”. Kaq ka mjaftuarqë 45-vjeçari Nevruz Kaja të merret me forcë për tu gjendur më pas në duart e dy grabitësve, të cilët pasi i morën paratë e goditën me levë. Ngjarja ndodhi në mes të ditës së djeshme në qendër të Tiranës pranë stacionit të autobusit tek pallatet nëntëkatëshe kur Nevruz Kaja, 45-vjeç, është marrë me forcë nga dy persona ende të panjohur të cilët e kanë masakruar e grabitur. Kaja është futur forcërisht nga personat në një automjet tip-Golf dhe pasi është dhunuar barbarisht është hedhur në mes të rrugës, ku rastësisht disa punonjës të policisë Bashkiake kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes duke e transportuar atë me urgjencë në spitalin ushtarak. Ndërkohë që për ngjarjen u lajmërua policia e cila mbërriti për të zbuluar autorët dhe shkaqet e ngjarjes. Efektivat e komisariatit të policisë nr.1, shoqëruan në dy dëshmitarë të ngjarjes si dhe persona të tjerë si autorë të dyshuar.
Ngjarja
Mesditën e djeshme, Nevruz Kaja ishte nisur drejt “Kinostudios” ku një shok i tij i kishte gjetur një punë në ndërtim. Sapo ka tentuar të hipë në autobus, i është afruar një person i panjohur duke i thënë se e kërkonte dikush. Kaja është kthyer dhe duke parë dashamirësinë që tregoi personi i panjohur ka shkuar pas tij. Sapo kanë ecur disa metra, 45-vjeçari është gjendur në duart e dy personave të cilët forcërisht e kanë hipur në një automjet tip-Golf. Megjithëse Kaja u ka kërkuar atyre shpjegime duke u thënë se nuk i njihte dhe çfarë donin prej tij ata forcërisht kanë mundur ta hipin në automjet atë. I gjendur përballë presionit të personave të panjohur, Kaja shpjegoi për policinë se kishte goditur me shkelm njërin prej autorëve. Më pas personi tjetër ka nxjerrë një levë dhe ka qëlluar në kokë 45-vjeçarin dhe më pas e ka goditur me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi i kanë marrë edhe paratë në xhep rreth 80 mijë lekë të vjetra, autorët e kanë hedhur në rrugë “prenë” e tyre dhe janë larguar me shpejtësi. Disa punonjës të policisë Bashkiake të cilët po kalonin pranë vendit të ngjarjes panë 45-vjeçarin të shtrirë në tokë në gjendje të rëndë. Menjëherë ata e transportuan në spitalin Ushtarak nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia
E lajmëruar për ngjarjen policia nisi menjëherë hetimet për të zbuluar autorët dhe shkaqet e ngjarjes. Policisë iu desh të presë disa orë derisa të përmirësohej gjendja shëndetësore e të plagosurit me qëllim që të mësonte ngjarjen prej tij, pasi dëshmitarët e pakët nuk mund të detajonin mekanizmin e kësaj plagosjeje. Në orët e pasdites oficerët e policisë kriminale morën në pyetje, Nevruz Kajën i cili deklaroi se nuk i njihte personat të cilët forcërisht e futën në një automjet ku e dhunuan dhe grabitën. “Fillimisht Kaja nuk mund të sqaronte asgjë pasi nuk kujtonte se çfarë i kishte ndodhur por pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të tij, ai tregoi detaje për ngjarjen. Sipas tij një person e kishte kthyer nga rruga duke e çuar në duart e dy autorëve. Personi i kishte thënë Kajës se e kërkonte një i njohuri i tij gjë e cila ka bërë që ai të kthehet për të takuar të “njohurin” por ka rënë në duart e grabitësve” tha për “Shekullin” një i afërm i Kajës që ndodhej në spitalin ushtarak. Ndërkohë që burime nga policia thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes janë shoqëruar disa persona si autorë të dyshuar të ngjarjes. “Pritet përmirësimi i Kajës me qëllim që të bëjë njohjen e autorëve pasi sipas tij nëse i sheh autorët ai mund t’i shohë se cilët janë.