E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina del nga rruga, dy të vdekur dhe dy të plagosur

 

Kukës, katër pjesëtarë të familjes Martini ishin duke u kthyer nga pazari kur makina e tyre ka dalë nga rruga

KUKËS- Një aksident i rëndë automobilistik në fshatin Shkinak të rrethit të Kukësit ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve. Të gjitha viktimat janë nga e njëjta familje, të cilët po ktheheshin në shtëpinë e tyre pas një dite pazari në qytet. Burime të policisë së komisariatit të Kukësit kanë bërë të ditur se të dielën në mesditë, një furgon tip “Benz” që mbante targa Kosove ka dalë nga rruga në fshatin Shkinak të komunës Çajë të rrethit të Kukësit, duke rënë rreth 100 metra në greminë. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën Shukri Martini, 55 vjeç, dhe Servete Martini, 40 vjeçe, ndërsa janë plagosur Rukie Martini 55 vjeçe, bashkëshortja e viktimës dhe drejtuesi i automjetit Xhevahir Martini, 30 vjeç, djali i viktimës Shukri Martini.

***

Katër pjesëtarët e familjes Martini kishin qenë në qytetin e Kukësit për ditë tregu dhe po ktheheshin në fshatin e tyre Shkinak. Dy të plagosurit janë transportuar për në spitalin e Kukësit, ku i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe mjekimeve intensive. Drejtori i spitalit, Ylber Vata, thotë se të plagosurit janë paraqitur në spital në gjendje tepër të rëndë, madje njëri prej tyre, pikërisht Xhevahir Martini, ishte në koma. Por pas ndërhyrjes mjekësore, sipas drejtorit të spitalit, gjendja e tyre është drejt përmirësimit. “Mund të thuhet se ata janë jashtë rrezikut për jetën”,- tha drejtori i spitalit. Në vendngjarje kanë shkuar edhe një grup hetimor i policisë së Kukësit. Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se shkak i këtij aksidenti mund te këtë qenë terreni i vështirë në rrugën ku ka qarkulluar automjeti si dhe aftësitë e kufizuara të drejtuesit të mjetit për të manovruar në të tilla rrugë. Vetëm 48 orë më parë, në rrugët e komunës Çajë, në afërsi të fshatit Buzmadhe ndodhi një tjetër aksident automobilistik, ku një furgon me targa të Dibrës me të cilin udhëtonin tetë persona nga Peshkopia ka rënë rreth 50 metra në greminë, por për fat vetëm sa janë plagosur tre persona, ku plagët e marra kanë qenë relativisht të lehta.

***

Në rrethin e Kukësit qarkullojnë mjaft automjete, përfshi edhe ato të transportit publik që mbajnë në mënyrë të kundërligjshme targa të Kosovës. Persona të ndryshëm, blejnë automjete në Kosovë dhe për t’i shpëtuar automjetet nga pagesa e doganës, mbajnë targa të Kosovës që në të shumtën e rasteve janë false. Fshatrat e komunës Grykë-Çajë janë zona më e thellë e rrethit të Kukësit, të cilat shtrihen në afërsi të bjeshkëve të Kroit të Bardhë dhe Malit të Korabit, kufi me rrethin e Dibrës. Infrastruktura në këto zona, sidomos ajo rrugore është mjaft e dëmtuar, madje në disa fshatra ajo mungon tërësisht. Shumica e banorëve kanë emigruar në brendësi të vendit, kryesisht në Tiranë, Durrës e Lushnjë. Më 17 dhjetor të vitit kaluar, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ka humbur jetën një tjetër shtetase nga fshati Shkinak, pikërisht 27- vjeçarja Lumturi Karanxha. Ndërkohë që është tragjedia e dytë e këtyre përmasave në fshatin Shkinak brenda katër vjetësh. Më 16 maj të vitit 2004, kanë humbur jetën katër persona nga ky fshat si pasojë eshpërthimittë një mine kundërtanke, ku viktimat kanë qenë duke mbledhur bimë mjekësore në bjeshkët e Korabit. Bashkim Shala

Përplasi me makinë dy shitësit, arrestohet

LUSHNJE- Policia e Lushnjes ka arrestuar shtetasin Olsjen Pipa, 25 vjeç, nga Tirana pasi akuzohet se është shkaktari i një aksidenti të rëndë me makinë. Mjeti i drejtuar prej tij ka dalë nga rruga duke goditur dy shtetas gjatë kohës që ata kanë qenë duke shitur në rrugën nacionale Lushnje-Fier. Njëri prej tyre, Hysni Kaja, 66 vjeç, është goditur rëndë dukë marrë dëmtime serioze për jetën. Edhe pse mjekët u munduan që t’i shpëtonin, jetën ai ka gjetur vdekjen në spitalin e Fierit. Ndërkohë gruaja, shitëse ambulante, është jashtë rrezikut për jetën. L. Ç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›