E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet Kosovë-Serbi do zhvillohen në fund të muajit

Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviç do të ulen përballë njëri- tjetrit në fund të këtij muaji. Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se për herë të parë që nga fillimi i dialogut Prishtinë-Beograd, palët pritet që të arrijnë marrëveshje të paktën për dy çështje: atë të regjistrave civilë dhe të lëvizjes së lirë
 

Sipas mediave Kosova ka pranuar të marrë kopjet e regjistrave të saj civilë, që Serbia i kishte marrë gjatë largimit të trupave të saj nga Kosova më 1999, ndërkaq që Serbia, sipas burimeve diplomatike, do të jetë dakort që kosovarët të mund të hyjnë në Serbi me dokumentet e shtetit të tyre. Shteti serb do të pranojë hyrjen me pasaportën kosovare në Serbi, por në të nuk do të vendoset vula e fqinjit verior, sepse, sipas ekipit serb të bisedimeve, një gjë e tillë do të transmetohej si njohje e Republikës së Kosovës.
 

Takimi i radhës ishte planifikuar fillimisht që të mbahet nga mesi i këtij muaji, por sipas burimeve palëve u janë dhënë edhe dy javë kohë që të përgatiten teknikisht. Kërkesën për përgatitje shtesë sipas mediave kosovare e ka bërë pala serbe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›