Deputeti socialist mbështet protestën e qytetarëve për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit

Protesta e dytë për rrugën e Dukagjinit nga banorët e zonës, ka marrë edhe përkrahjen e deputetit të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Benet Beci.
“Do ta firmos patjetër edhe peticionin drejtuar autoriteteve për ndërtimin e rrugës. Angazhohem që projektin e hartuar të rrugës ta bëjmë publik në një takim të hapur me të gjithë të interesuarit në momentin më të parë së bashku me inxhinierët dhe agjencitë qeveritare që kanë përgatitur projektin” shkruan zoti Beci në një status në rrjetet sociale.
Ai u zotua se do të ndihmojë në akordimin e fondeve për fillimin e këtij investimi madhor.
Deputeti socialist njëkohësisht u bëri thirrje autoriteteve vendore të Bashkisë së Shkodrës që drejtohet nga PD në opozitë, që si institucioni përgjegjës për rrugën, të mos fshihen pas shkresave të vagullta e të keqadresuara, por të marrin menjëherë masa për mirëmbajtjen e rrugës para sezonit pranveror.
Në të kundërt zoti Beci tha se do t’i kërkojnë qeverisë heqjen e rrugës nga inventari i saj dhe kalimin në inventarin e ARRSH-së.
Ai kujtoi se rrugët Han i Hotit-Tamarë-Vermosh apo rruga Koplik-Bogë-Theth, janë qartësisht të mirëmbajtura gjatë gjithë vitit.
Statusi i deputetit socialist në Facebook shoqërohet edhe me disa foto nga protesta e sotme e banorëve të zonës.
/ rtsh.al /