Bisedimet me SHBA-në për armët bërthamore -Ministri iranian në Moskë, kërkon mbështetjen e Rusisë

Udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei dërgoi ministrin e tij të Jashtëm në Rusi me qëllim që të marr mbështetje nga Moska përpara raundit të dytë të negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me bombardime dhe shtrirje të tarifave ndaj vendeve të treta që blejnë naftën e tij, nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin për programin e tij të diskutueshëm bërthamor.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan bisedime në Oman fundjavën e kaluar, të cilat të dyja palët i përshkruan si pozitive dhe konstruktive.
Përpara raundit të dytë bisedimeve që do të zhvillohet në Romë këtë fundjavë, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi tha të mërkurën se e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit nuk është e negociueshme.
Rusia, një aleat i vjetër i Teheranit, luan një rol në negociatat bërthamore të Iranit me Perëndimin si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me veto dhe nënshkruese e një marrëveshjeje të mëparshme bërthamore që Trump braktisi gjatë mandatit të tij të parë në 2018.
“Për sa i përket çështjes bërthamore, ne kemi pasur gjithmonë konsultime të ngushta me miqtë tanë Kinën dhe Rusinë. Tani është një mundësi e mirë për ta bërë këtë me zyrtarët rusë” tha Araqchi për televizionin shtetëror.
Ai tha se po i përcillte një letër Putinit që diskutonte çështje rajonale dhe dypalëshe. Fuqitë perëndimore thonë se Irani po përpunon uraniumin në një shkallë të lartë të pastërtisë së zbërthyeshme përtej asaj që është e justifikueshme për një program energjetik civil dhe afër nivelit të përshtatshëm për një bombë atomike. Irani mohon të kërkojë armë bërthamore dhe thotë se ka të drejtë për një program bërthamor civil.
Moska ka blerë armë nga Irani për luftën në Ukrainë dhe ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik 20-vjeçar me Teheranin në fillim të këtij viti, megjithëse nuk përfshinte një klauzolë të mbrojtjes reciproke. Të dy vendet ishin aleatë në fushën e betejës në Siri për vite me radhë derisa aleati i tyre Bashar al-Assad u rrëzua në dhjetor.
Putini ka mbajtur marrëdhënie të mira me Khamenein, pasi si Rusia ashtu edhe Irani janë konsideruar si armiq nga Perëndimi, por Moska është e prirur të mos shkaktojë një garë armësh bërthamore në Lindjen e Mesme.
Rusia ka thënë se çdo sulm ushtarak kundër Iranit do të ishte i paligjshëm dhe i papranueshëm. Kremlini nuk pranoi të komentonte të martën kur u pyet nëse Rusia ishte gati të merrte kontrollin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme bërthamore në të ardhmen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
/rtsh.al/