Rekursi ndaj masës “detyrim paraqitje”, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Berishës për përjashtimin e trupit gjykues

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për përjashtimin e trupit gjykues të përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, nga shqyrtimi i rekursit të tij ndaj masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Vendimi u shpall këtë të enjte nga gjyqtari Enton Dhimitri. Berisha pretendonte se tre gjyqtarët kishin shfaqur mendim mbi çështjen dhe për rrjedhojë kishin cenuar parimin kushtetues të “gjykatës së paanshme”.
Seanca, e cila fillimisht ishte parashikuar për të martën, u shty për në 22 prill. Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe rekursi i Berishës dhe i dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, ndaj masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre.
Berisha është nën hetim për akuzën e “korrupsionit pasiv” në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa Malltezi përballet me akuzat për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” dhe “pastrim parash”. Ai ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.
/rtsh.al/