Bisedimet për armëpushim në Gaza në ngërç, Hamasi dhe Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për bllokimin e marrëveshjes

Bisedimet për armëpushim në Gaza u vunë në pikëpyetje, pasi Hamasi dhe Izraeli akuzuan njëri-tjetrin të shtunën për bllokimin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje, gati një javë pas nisjes së një përpjekjeje për të ndaluar 21 muaj luftime të ashpra në territorin palestinez.
Një burim palestinez i informuar për bisedimet në Katar i tha AFP-së se propozimet e Izraelit për të mbajtur trupat e tij në territorin e shkatërruar nga lufta po pengonin arritjen e një pauze 60-ditore.
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë politik izraelit, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, akuzoi militantët për ngurtësi dhe përpjekje të qëllimshme për të prishur marrëveshjen.
Në terren, agjencia e mbrojtjes civile e Gazës raportoi se më shumë se 20 persona u vranë gjatë së shtunës në të gjithë territorin, përfshirë edhe në një sulm ajror gjatë natës në një zonë ku strehoheshin të zhvendosurit.
Në Tel Aviv, mijëra njerëz dolën në rrugë duke kërkuar nga qeveria të nënshkruajë një marrëveshje për lirimin e pengjeve. “Dritarja e mundësisë… është e hapur tani dhe nuk do të jetë për shumë kohë,” tha Eli Sharabi, i liruar në shkurt.
Si Hamasi, ashtu edhe Izraeli kanë deklaruar se 10 pengje të mbajtura që nga sulmi i militantëve më 7 tetor 2023, që shkaktoi luftën, do të lirohen nëse arrihet një marrëveshje.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se është i gatshëm të hyjë në bisedime për një fund më të përhershëm të armiqësive.
Por një burim palestinez tha se refuzimi i Izraelit për të pranuar kërkesën e Hamasit për një tërheqje të plotë të trupave nga Gaza po pengon përparimin e bisedimeve.
Një burim i dytë tha se ndërmjetësit u kishin kërkuar të dyja palëve të shtynin diskutimet derisa i dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff , të mbërrinte në kryeqytetin e Katarit.
Burimi i parë tha se Izraeli po propozonte të mbante ushtrinë e tij në më shumë se 40 përqind të territorit palestinez, duke detyruar qindra mijëra palestinezë të zhvendosur të shpërnguleshin në një zonë të vogël pranë qytetit të Rafah, në kufirin me Egjiptin .
/rtsh.al/