E Martë, 3 Nëntor 2026

Bisedimet për qeveri, Kurti takon kryetarin e PREBK Albert Kinolli

PRISHTINË, 3 prill/ATSH/ Kryeministri në detyrë Albin Kurti, takimet konsultative me partitë parlamentare të komuniteteve jo shumicë, i vazhdoi sot me deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit rom, kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli.

Në takim u diskutua mbi formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe thirrjes së seancës konstituive nga presidentja Vjosa Osmani për datën 15 prill.

Kurti e Kinolli theksuan rëndësinë e formimit të qeverisë me kohë dhe pa vonesa, dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

Gjatë bisedës, Kurti veçoi promovimin dhe fasilitimin e punësimit përmes Agjencisë së Punësimit, bursat e studimit për nxënësit dhe studentët rom dhe qendrat mësimore, si dhe mbështetjen në projektet për kulturë dhe rini, si rezultate të drejtpërdrejta dhe dëshmi e përkushtimit të qeverisë për mirëqenie dhe zhvillim të gjithmbarshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet pa dallim. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›