E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Scholz: Nuk mund ta imagjinojë Netanyahun të arrestohet në Gjermani

BERLIN, 3 prill /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se ai nuk mund ta imagjinonte ekzekutimin e një urdhërarresti kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një vizite të tij në Gjermani.

Deklarata e Scholz erdhi si përgjigje ndaj pyetjeve të një gazetari pas mbërritjes së Netanyahut në Budapest – udhëtimi i tij i parë në Evropë – që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi ​​urdhërarrestin në nëntor lidhur me veprimet e qeverisë izraelite në Gazë.

Hungaria njoftoi sot planet për t’u tërhequr nga vendimi i ICC-së, me qendër në qytetin holandez të Hagës.

Në një konferencë për shtyp në Berlin së bashku me mbretin e Jordanisë, Abdullah II, Scholz tha se qeveria gjermane e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me arrestimin e Netanyahut.

“Nuk mund ta imagjinoj se do të ketë një arrestim në Gjermani”, tha kancelari gjerman në largim.

Vendimi i Hungarisë, megjithatë u kritikua nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Përpara një samiti të NATO-s në Bruksel, Baerbock tha se ishte një ditë e keqe për të drejtën penale ndërkombëtare.

“Në Evropë, askush nuk është mbi ligjin dhe kjo vlen për të gjitha fushat e ligjit”, shtoi ajo.

Pasardhësi i supozuar i Scholz – lideri konservator Friedrich Merz, ka thënë tashmë se po kërkon mënyra për të pritur Netanyahun në Berlin pa shkelur ligjin ndërkombëtar.

Traktati themelues i ICC-së, i njohur si Statuti i Romës, kërkon që shtetet anëtare të zbatojnë urdhrat e gjykatës.

Si shtete anëtare të gjykatës, Hungarisë dhe Gjermanisë u kërkohet zyrtarisht të arrestojnë Netanyahun nëse ai hyn në territorin e tyre. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›