E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet shtyhen për sot, tre skenarë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit

Berisha dhe Rama nuk arrijnë marrëveshje, kontaktet vazhdojnë gjithë natën

Shqiptarët mbajnë frymën sërish, pasi kriza politike mbetet ende në fuqi me një shpresë të përgjysmuar për arritjen e marrëveshjes sot. Ankthi shtyhet edhe për 24 orë të tjera, për të marrë vesh nëse do të ketë paqe mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës, apo situata do të radikalizohet duke e futur vendin në një përplasje më të egër sociale. Pas më shumë se dy orësh bisedime në Presidencë, ku Berisha dhe Rama zhvilluan negociata në prani jo vetëm të një negociatori, i cili është Presidenti Bamir Topi, por dhe të dhjetë pjesëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të kryesuar nga kreu i këtij institucioni, Mevlud çavushoglu, por edhe pas përpjekjes së madhe për negocim, dy palët nuk kanë arritur një marrëveshje, por i shtynë bisedimet për sot, duke lënë të hapur shtigjet që mund të çojnë në një pakt që do të paqtonte të dyja palët. Si Kryeministri Berisha ashtu dhe lideri i opozitës, Edi Rama, nuk kanë shfaqur tërheqje në pikat që ata i quajnë “të paprekshme”, siç janë hapja e kutive. Madje, siç mësohet nga burime brenda takimit, situata i është afruar shumë traumës së ndodhur gjatë bisedimeve të 13 shkurtit, por kanë ndërhyrë reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke bërë një rezyme të situatës, pasi Rama dhe Berisha ndahen vetëm në interpretimin e frazës: “Hetim i plotë i zgjedhjeve në zbatim të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”. Si variante të mundshme për të gjetur pikat e takimit mes Berishës dhe Ramës është sugjeruar që një skenar i mundshëm është kërkimi i opinionit juridik nga Komisioni i Venecias për këtë çështje, hapje e pjesshme e kutive të votimit, për të cilat nuk ka një vendim gjykata, si dhe hapje e kutive me anë të një shorti apo përcaktimi, që mund të bien dakord të dyja palët. Edhe pse negociatat e djeshme nuk kanë sjellë rezultat, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka ndërmarrë nismën e uljes në tryezë të Berishës dhe Ramës, sërish nuk është dorëzuar dhe në një komunikatë për shtyp, bëri të ditur se bisedimet politike do të vazhdojnë sot, por nuk është bërë e ditur as ora dhe as mënyra e zhvillimit të tyre. Por sipas definicionit duket se nuk kemi të bëjmë me një tryezë, por me takime të ndara të kreut të shtetit me krerët e mazhorancës dhe opozitës. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidencës theksohet se “parlamentarët e Këshillit të Europës, të kryesuar nga Presidenti Mevlut çavushoglu e informuan kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë ditës me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama, për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshjeje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare. Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër (sot)”. Burime diplomatike bënë të ditur se dje, gjatë gjithë natës, ka pasur kontakte mes palëve, por mësohet se presionet ndërkombëtare ndaj Kryeministrit janë arritur duke bërë të ditur se nëse dështon zgjidhja e krizës, atëherë komuniteti ndërkombëtar mund të deklarohet publikisht për të identifikuar përgjegjësit e këtij dështimi. Kryeministri Berisha u bëri të ditur ndërkombëtarëve se ai tashmë e ka bërë koncesionin e tij politik, duke i dhënë opozitës kreun e komisionit hetimor dhe shumicën e tij, por që duket se kjo nuk i ka bindur ndërkombëtarët. Ndërkaq, liderit të opozitës, Edi Rama, i është kërkuar fuqishëm që të mos i kthehet protestave në rrugë dhe të kthehet në Kuvend. Një burim diplomatik, i cili ishte shumë i informuar mbi bisedimet e ditës së djeshme, i ka thënë “Shqip” se “shanset për të arritur një zgjidhje të krizës nga Berisha dhe Rama janë 50 me 50”, e cila mund të përkthehet jo diplomatikisht edhe zero me zero. Gjatë orës së vona të natës, por edhe të mëngjesit të sotëm, pritet një seri shtesë ndërhyrjesh diplomatike, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të jenë të fundit që mund të vendosin një kufi të qartë të qëndrimit ndaj Shqipërisë. Kërcënimi i ndërkombëtarëve ka qenë më se i qartë: “Nëse nuk zgjidhet kriza rrezikohet seriozisht integrimi i Shqipërisë në BE”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›