Tragjedi në Austri përplaset autobusi me kosovarë
Gjashtë kosovarë kanë humbur jetën të hënën, ndërsa tridhjetë e gjashtë të tjerë janë lënduar në aksidentin e trafikut, që ndodhi mbrëmë afër Vjenës. Autobusi, i cili ishte nisur nga Kosova për në Munih, u përplas me dy kamionë në një autostradë rreth njëzet kilometra në afërsi të Vjenës. Të vdekurit, janë: dy nga tre shoferët e autobusit, Dragan Mihajloviç nga Komuna e Kamenicës, si dhe Ismajl Pajiziti, shofer dhe pronar i agjencisë turistike “Fatoni Reisen”, nga Ferizaj. Ndërsa vazhdon të kurohet në spital shoferi nga fshati Mushnikovë, Komuna e Prizrenit, Ramdan Veliu, i cili gjatë aksidentit ishte duke ngarë autobusin. Përveç këtyre në aksidentin e së hënës kanë humbur jetën edhe Sadik Dellova, Mehmet Shkodra dhe Bashkim Bytyçi.
Emri i viktimës së gjashtë ende nuk bëhet i ditur. Për këtë tragjedi të rëndë, Presidenti Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u dërguan ngushëllimeve familjeve të viktimave, kurse të lënduarve u uruan shërim sa më të shpejtë. Në ngushëllimin e Presidentit Sejdiu ndër të tjera thuhet: “Në këto çaste pikëllimi, ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me ju dhe lutemi për shpirtin e bashkëqytetarëve tanë, të cilët pësuan në këtë fatkeqësi të rëndë. Gjithashtu, ne lusim Zotin që të lënduarit të shërohen sa më parë dhe t’u kthehen familjeve të tyre”, kurse Kryeministri Thaçi në telegramin e tij pasi u shprehu ngushëllimet, në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e vet, familjeve që humbën të dashurit e tyre, thekson se “Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e shtetit të Austrisë për t'u dalë në ndihmë të aksidentuarve dhe për të zbardhur në tërësi shkakun e aksidentit”. Sipas RTK-së, autobusi është i kompanisë “Polluzha” nga Prizreni dhe mësohet se në të kanë qenë gjithsej 42 udhëtarë. Dy kamionë ishin duke shkuar në kolonë, mbi të cilët u përplas autobusi, thekson policia.
Katër viktima ishin pasagjerë të autobusit, ndërsa dy udhëtarë të kamionëve, njofton agjencia austriake e lajmeve APA, ndërkaq sipas RTK-së në këtë aksident të gjithë të vdekurit janë shqiptarë, nga të cilët dy janë shoferët e autobusit. Shkaku i aksidentit, siç supozohet, është lodhja e shoferit të autobusit, pasi rruga ishte krejtësisht e thatë. Policia e Austrisë ende nuk ka dhënë informacione rreth identitetit të të vdekurve dhe shkaqeve të aksidentit. Idriz Hasani, i afërt me zyrtarë të kompanisë “Polluzha”, nga vendi i ngjarjes konfirmoi për “Radio Kosovën” se gjashtë persona kanë vdekur, por nuk bëri të ditur identitetin e tyre, me arsyetimin se ende nuk kanë informacione të sakta. “Në autobus kanë qenë 42 persona. Nga informatat e policisë, gjashtë prej tyre, pa emra, kanë vdekur, kurse 17 janë në gjendje të rëndë, e të tjerët me lëndime të lehta. Të lënduarit janë të shpërndarë nëpër tetë spitale të ndryshme”, tha Hasani.
#