E Diel, 1 Nëntor 2026

Mukaj e godet me kokë, Elis Bakaj në spital

Incidenti

Shkëndijat në fushën e lojës bën që Elis Bakaj dhe Devis Mukaj ta mbyllnin derbin kryeqytetas përpara të tjerëve (ashtu si Bicaj e Nallbani më parë). Megjithatë, dy lojtarët kryesorë të Dinamos dhe Tiranës nuk janë ndarë vetëm me polemikat që shkaktuan probleme në fushë dhe ndërprerjen për disa minuta të ndeshjes. Në momentin kur po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, lojtarët kanë vazhduar të debatojnë ashpër dhe në gjaknxehtësi e sipër, Mukaj godet Bakajn me kokë. Një tensionim që ka sjellë pasoja për mesfushorin e Dinamos, i cili ka pësuar hematomë dhe enjte në kokë. Sipas burimeve pranë stafit mjekësor të klubit blu, goditja e marrë ka qenë shumë e fortë dhe gjatë qëndrimit në dhomat e zhveshjes, gjendja shëndetësore e fantazistit të Kombëtares u përkeqësua dhe ai ka vjellë vazhdimisht. Kjo ka bërë që Bakaj të dërgohet me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Sapo ndeshja ka përfunduar, lojtari është shoqëruar nga forcat e policisë për ekzaminime të mëtejshme. Gjithçka edhe për faktin se në ambientet e brendshme të stadiumit debatet dhe polemikat mes lojtarëve të dy skuadrave vazhduan dhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore ishte në epiqendër të sulmeve nga bardheblutë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›