Bizneset çojnë 470 ankesa tek Avokati i Prokurimeve
03/11/2009 Mungesa e korrektësisë në zhvillimin e tenderave elektronikë nga ana e Agjencisë së Prokurimeve Publike apo problemet që kanë procedurat kanë shtuar ankesat nga subjektet private. Ata pretendojnë se u bëhen padrejtësi ose shmangen nga tenderët. Të gjitha këto ankesa i drejtohen zyrës së Avokatit të Prokurimeve, prej nga ku kompanitë private presin zbardhjen e procedurave që i kanë lënë ato pa punë. Numri i ankesave të bëra prej subjekteve private lidhur me tender on-line deri në muajin shtator 2007 më i lartë se i ankesave në total të bëra për vitin 2008. Të dhënat tregojnë se për periudhën janar-shtator pranë Avokatit të Prokurimeve janë paraqitur 470 ankesa. Kjo shifër është më e lartë se totali i ankesave për vitin 2008, të cilat llogariteshin në 350. Shqipëria është i vetmi vend në botë që realizon 100 për qind prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85 për qind, në një kohë që standardet evropiane lejojnë realizimin e prokurimeve deri në masën me 40 për qind. Tenderat elektronikë prej një viti dominojnë garat për thithjen e fondeve publike nga sektori privat. Me rifreskimin e ligjit për “Prokurimet publike” një vit më parë, nisi aplikimi elektronik i kompanive në tenderë. Ky aplikim parashikonte një konkurrim “on-line”, i realizuar tërësisht nëpërmjet një projekti dhe infrastrukture të posaçme elektronike që komandohet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pikërisht ndryshimi i sistemit të tenderimit duket se u ka lënë shkas shumë institucioneve që shpallin tenderë që të “diskriminojnë” qindra firma dhe kompani padrejtësisht, duke shfrytëzuar kërkesat strikte të dokumentacionit që imponon ligji “Për prokurimin” në rastet kur prokurimi nuk është elektronik.