E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, gjendet i dekompozuar një trup i pajetë

03/11/2009  VLORE- Rreth orës 8.30 të mëngjesit të djeshëm blutë kanë gjetur një trup të pajetë. Trupi është gjetur në një vend të braktisur, në brendësi të lagjes “29 Nëntori”. Ai ishte në cepin e një bahçeje, dhe ishte pothuaj i dekompozuar. Pas një telefonate të ardhur në sallë operative, blutë kanë shkuar në vendngjarje.

Viktima

Viktima është rreth të 40-ve, nga hetimet e para blutë kanë marrë një emër të mundshëm të viktimës, por gjithsesi po vijon hetimi. Trupi mendohet të jetë i Dritan Mukës, sipas deklarimeve fillestare, por gjithsesi i mbetet ekspertizës mjeko-ligjore të nxjerrë të dhëna mbi personin, pasi ai ishte i paidentifikueshëm për shkak të ditëve të shumta të të qenit në atë gjendje. Mendohet se trupi i pajetë të ketë qenë në këtë vend të braktisur prej më se 15 ditësh dhe ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së 40-vjeçarit, ndërsa po hetohet. Pas ekspertizës policia do të jetë në gjendje të përcaktojë dhe shkakun e vdekjes së tij. Aktualisht pistat janë të shumta, që nga vdekja aksidentale, vdekje natyrore, ndonjë overdozë, e deri te një vrasje e mundshme. Vendi ku u gjet trupi i pajetë është zonë e braktisur që shpesh përdoret nga të droguarit. Trupi është çuar në morgun e spitalit të Vlorës, ndërsa hetohet edhe për raste të denoncimeve të njerëzve të humbur në këto 15-20 ditët e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›