E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset fason ndihen nën presionin e krizës ekonomike

25/05/2009  Qeveria të na lehtësojë nga detyrimet

BERAT- Kriza ekonomike ka vënë në presion bizneset fason që prodhojnë me material porositësi. Si pasojë e kësaj situate numri i punëtorëve ka ardhur duke u shkurtuar për shkak të mungesës së porosive. Prodhuesit e veshjeve i kanë kërkuar qeverisë, që në këtë kuadër, të përdorin fondet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional si fonde të garantimit të pagimit të detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore, të paktën për një periudhë 6-mujore. Sipas tyre, kjo do të ndihmonte bizneset në kapërcimin e vështirësive të momentit, deri në një periudhë kur biznesit të fasonëve t’u rikthehej likuiditeti i munguar nga pasojat e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania etj, kompanitë e të cilave kanë krijuar probleme të mungesës së likuiditetit për kompanitë shqiptare për këtë periudhë krize. Në lidhje me këtë problem biznesmeni i fasonëve në qytetin e Kuçovës, Pëllumb Zyla, i cili ka 10 vjet që ushtron këtë aktivitet privat në bashkëpunim me firma italiane ndihet i kërcënuar nga kriza, ndërsa shprehet se nga qeveria nuk ka asnjë ndihmë konkrete për këto lloj biznesesh, që kanë numrin më të madh të punëtorëve në vend. Biznesmeni Zyla shprehet se kriza ka filluar që nga viti i kaluar, por edhe pse ka menduar mbylljen e aktivitetit, investimi kolosal nuk e ka lejuar të ndërmarrë një hap të tillë. Në lidhje me problemet dhe vështirësitë që has aktiviteti i tij privat ku janë të punësuar rreth 40 punëtorë, biznesmeni Pëllumb Zyla ka pohuar se aktualisht ka investuar 130 milionë euro për aktivitetin e tij dhe nuk mund të rrezikojë deri në falimentim. Ndërkohë ka dhe biznese të të njëjtit lloj, të cilët kanë hasur vështirësi nga kriza ekonomike, të cilët kanë shkurtuar numrin e punëtorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›