Paradoksi i qypit me flori
25/05/2009 Goditjet që i janë bërë në kohë krimit të organizuar e veçanërisht aseteve financiare të perandorive të tyre të ndërtuara me material të jashtëligjshëm, s’kanë qenë ndonjëherë dhe aq të durueshme përballë presionit të padukshëm që zbut si me magji dorën e hekurt të ligjit. Të mbledhura në total të gjitha përfitimet financiare që sjellin këto mekanizma të gjalla lëvizëse depërtojnë në mushkëri të ekonomisë, duke miksuar kështu trendin e rritjes së saj e për më tepër garantimin e një vendi të sigurt në arteriet kryesore që furnizojnë zemrën, për të fituar kontrollin absolut. Ndërtimi, klasifikuar si oazi i këtyre organizatave është një ndër destinacionet e këtij lumi valute, por edhe aktivitete të tjera janë ndërtuar tërësisht me këto para të dyshimta. Hotelet, motelet, vilat luksoze, makinat e shtrenjta, etj., janë disa nga objektivat me të synuara për kontroll nga strukturat shtetërore kompetente për të parandaluar injektimin e parasë së larë. Për të qenë brenda logjikës, legjislacioni përkatës është i bollshëm, por në të njëjtën kohë paradoksi i metodës së zbatimit lë për të dëshiruar. Në bisedat me ekspertë të policisë shqiptare e përkatësisht ata të luftës kundër krimit ekonomik e pastrimit të parave, duket qartë mungesa e një legjislacioni që t’i lejojë ata të verifikojnë pasuritë e personave që ata dyshojnë se është vënë pas një aktiviteti kriminal. Në disa trajnime me francezët, këta të fundit janë shprehur të habitur për këtë mungesë totale informacioni për një person që ndërton hotele pafund dhe thotë se gjyshi i ka lënë trashëgimi një qyp me flori.