E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i naftës, kërkesa botërore bie me 2.6 për qind

25/05/2009  Shifrat e tremujorit të parë të vitit

Tregu ndërkombëtar i naftës, gjatë tremujorit të parë të vitit, vijoi të karakterizohej nga rënie e çmimit mesatar të një fuçie naftë si dhe nga shkurtime të ofertës nga disa prej vendeve kryesore prodhuese të saj. Sipas analizave të fundit, të cilave u referohet edhe Banka e Shqipërisë, tremujori i parë i vitit ka regjistruar një rënie të kërkesës botërore për naftë në vlerën 2.6 për qind në terma vjetorë. Kjo rënie i atribuohet kontraktimit të ekonomisë në vendet e zhvilluara që janë edhe konsumatorët kryesorë të naftës dhe nënprodukteve të saj. Çmimi i një fuçie naftë ra me rreth 57 për qind në terma vjetorë, ndonëse muaji mars shënoi një rritje të çmimit për fuçi me përafërsisht 19 për qind me bazë mujore. Pozita e fortë e dollarit amerikan kundrejt monedhës së bashkuar evropiane krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe kushtet e dobësuara të raportit kërkesë ofertë, kanë ndikuar në ruajtjen e çmimit të naftës në nivelet mesatare të vërejtura gjatë vitit 2004. Ndërkohë, ngadalësimi ekonomik në disa prej vendeve më të mëdha në zhvillim si Rusia apo Kina, nuk ka arritur të mbulojë rënien e kërkesës në vendet e industrializuara. Kërkesa ka pësuar rënie në Rusi, ndërsa në Kinë ajo ishte në terma absolut përafërsisht e barabartë me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në këto kushte, vendet anëtare të OPEK-ut kanë vijuar të ulin kuotat ditore të prodhimit të naftës edhe këtë tremujor, në mënyrë që të ndikojnë në ripërtëritjen e kërkesës për të dhe të rrisin çmimin për fuçi. Oferta në vendet e OECD-it ka pasur ritme rritëse me gjithë problemet e shfaqura në disa prej impianteve kryesore të rafinimit të naftës në Detin e Veriut. Tregu ndërkombëtar i naftës pritet të ruajë këto trajta edhe për tremujorët e ardhshëm të vitit 2009, ndonëse një përmirësim në terma mujorë i kërkesës në SHBA, në muajin shkurt, u vlerësua si një sinjal pozitiv dhe një efekt i pritur i çmimit aktual të ulët të naftës në treg. Vlerat më të ulëta të këtij tremujori krahasuar me atë paraardhës vijnë si pasojë e ngadalësimit të rënies së çmimeve në këtë periudhë, ndërsa vlerat e larta të rënies vjetore janë si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve që filloi në fund të vitit 2007 dhe vazhdoi në muajt e parë të vitit 2008. Rënia e mëtejshme e çmimeve të karburanteve, e shoqëruar me rënien e çmimit të metaleve dëshmon kërkesën e ulët për këta mallra si pasojë e rënies së prodhimit industrial.

Indeksi i çmimeve

Vlera mesatare e Indeksit të Çmimit të Mallrave që publikohet nga FMN-ja ka shënuar një rënie vjetore prej 41.7 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës kjo rënie është rreth 15.2 për qind. Në të njëjtën linjë ka lëvizur edhe Indeksi i Çmimit të Karburantit, i cili është zhvlerësuar me 47.6 për qind në terma vjetorë. Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2008 rënia e këtij indeksi është 21.6 për qind. Indeksi i Çmimit të Ushqimeve për të njëjtën periudhë kohore është zhvlerësuar me 23.3 për qind, kurse në terma tremujorë vërehet një rritje e lehtë prej 1.2 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›