E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset greke në Shqipëri, DEMCO-ja kërkon portin e Vlorës dhe minierat

Tiranë- Kriza në Greqi ka bërë që biznesmenët grekë të kthejnë sytë për investime në Shqipëri. Drejtues të një prej kompanive më të mëdha në Greqi, DEMCO e cila vepron si operuese dhe financuese në shumë fusha, më kryesoret përmenden energjia, miniera, infrastruktura dhe media, u priten sot nga kryeministri Berisha i cili u garantoi atyre mbështetje për projektet që duan të zbatojnë në Shqipëri.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, një ndër fushat e rëndësishme ku grupi DEMCO mendon të investojë është fusha e transportit dhe konkretisht portet.

Presidenti Contominas veçoi konkretisht portin e Vlorës, për të cilin u shpreh se është një projekt me rëndësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, zoti Contominas u shpreh se fusha e energjisë së rinovueshme është shumë tërheqëse dhe e përshtatshme për portofolin e investimeve te kësaj kompanie.

Zoti Contominas u shpreh ndër të tjera në takim me kryeministrin, se nga zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe nga studimet dhe vlerësimet e kompanive konsulentë ndërkombëtare, kompanisë DEMCO i është tërhequr vëmendja dhe po studion mundësinë e investimit në fushën e minierave.

Sjellja e ekonomisë suaj dhe rezultatet e arritura na kanë bërë të drejtohemi për të zhvilluar projektet tona në këto fusha të rëndësishme- tha ai. Zoti Contomanis vuri në dukje se edhe situata jo e favorshme në Greqi ka bërë që bizneset greke te hulumtojnë dhe gjejnë vende dhe fusha të reja investimesh.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e prezantoi grupin me reformat konkrete te ndërmarra nga qeveria në ekonominë shqiptare dhe u ndal ne veçanti në fushat me interes dhe për kompaninë DEMCO. Kryeministri bëri një ekspoze të rezultateve të arritura në fushën e infrastrukturës, minierave dhe sidomos në atë të energjisë, ku projektet në zbatim nga kompani të mëdha ndërkombëtare dhe vendase rriten nga dita në ditë. Kryeministri u shpreh se energjia e rinovueshme, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i gjelbër, duke qenë në fokus të reformave të ndërmarra gjatë dy mandateve qeverisëse, kanë bërë që numri i projekteve e hidrike të realizuara me sukses në këto 5 vitet e fundit të arrijë në 72 dhe të vazhdojë puna në 50 projekte të tjera.

Në këtë kontekst, Kryeministri vuri në dukje se interesi i investitorëve të huaj për këtë fushë dhe fusha të tjera është në rritje dhe propozime vazhdojnë të paraqiten në strukturat përkatëse.

Më tej, Kryeministri Berisha e garantoi grupin DEMCO që projektet e tyre do të gjejnë mbështetjen e plotë të gjithanshme institucionale dhe ligjore të qeverisë së tij dhe bashkëpunimi për suksesin e tyre do të jetë i vazhdueshëm dhe i garantuar si me dhjetëra e qindra projekte të tjera investimesh të huaja tashmë vepruese në Shqipëri.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›