E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bizneset kërkojnë përmirësime – Mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca e pandershme, ndër problemet kryesore

Taksat, fuqia punëtore, politikat qeveritare, korrupsioni dhe performanca ekonomike ishin në qendër të Indeksit të Biznesit, një matës vjetor i perceptimit të klimës së biznesit në Shqipëri, i hartuar për të dymbëdhjetin vit radhazi nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Për vitin 2024, anëtarët e Dhomës raportojnë një rënie të indeksit në 46,47 nga 100 pikë të mundshme.

“Ajo që është më kryesore, do të thoja unë, është trendi. Perceptimi i indeksit, siç matet në këtë indeks, qëndron gjithmonë në fashën nën 50 pikë, pra, ka vend shumë për përmirësim”, thotë Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Treguesi është gjithashtu reflektim i pikave kryesore në këtë dokument.

“Perceptimi lidhet me monopolet dhe konkurrencën, me konkurrencën e pandershme, me burokracinë shtetërore, me informalitetin, si edhe me barrën fiskale. Këta janë parametrat që pak a shumë vërtiten gjatë gjithë viteve dhe qëndrojnë në atë pozicion”, thotë ai.

Por sfida më e madhe për Dhomën Amerikane mbetet fuqia punëtore.

“Fuqia punëtore, e kualifikuar veçanërisht, është sfida më e madhe dhe duhet një koordinim shumë i fortë”, nënvizon z. Mullaj.

Nga ana tjetër, sipërmarrjet vlerësojnë pozitivisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve.

“Kjo ka të bëjë me një hapje më të mirë të ekonomisë dhe proceset e integrimit me Bashkimin Europian”, tha Mullaj.

Ndër sugjerimet kryesore të Dhomës, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, janë: forcimi i konsultimit dhe koordinimit mes aktorëve publikë dhe privatë, ndërtimi i reformave funksionale dhe afatgjata, si dhe adresimi i mungesës së fuqisë punëtore në mënyrë sa më efektive.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›